Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa ka triumfuar në edicionin e sivjetmë në dy kategori.
Lipa ka marrë çmimin për albumin me të mirë pasi që u shpërblye si artistja më e mirë britanike. Këngëtarja 25-vjeçare në kategorinë për albumin me të mirë ka triumfuar me “Future Nostalgia” që i dha epitetin alfa e discos.
“Nuk po më besohet që kjo po ndodh. Ky album ka shumë kuptim për mua dhe faleminderit të gjithë atyre që e kanë dëgjuar. Ky album më ka mësuar shumë si vetëbesimin, fuqinë, kurajën dhe më ka dhënë shumë dashuri dhe miqësi. U jam shumë falënderuese njerëzve të mrekullueshëm me të cilët kam punuar dhe kam krijuar një album të tillë”, ka thënë Lipa gjersa ka pranuar trofeun e dytë në këtë ceremoni.
Dua Lipa ishte ndër muzikantët e parë që nisi ceremoninë duke performuar disa nga hitet e saj. “Brit Awards” po përcillet në mënyrë fizike nga 4 mijë njerëz si dhe po transmetohet live.
“Faleminderit shumë është një nder që të jem këtu dhe përsëri në skenë. Herën e kaluar kur kam qenë këtu në vitin 2018 kam thënë që dëshiroj që të shoh më shumë gra në këtë skenë dhe tri vite më vonë jam shumë e lumtur që po e shoh këtë”, ka thënë Lipa gjersa ka pranuar çmimin e parë atë për artisten me të mirë britanike.
Këtë vit, Lipa pati tri nominime. Nuk arrit të triumfonte në kategorinë për këngën me të mirë me hitin “Physical”.
Lipa për herë të parë u shpërblye në këtë ceremoni në vitin 2018 kur mori çmimin si këngëtarja më e mirë solo dhe artistja më e re që depërtoi në skenë. Një vit më pas, ajo mori përsëri çmimin për këngën me të mirë me “One Kiss”. Ani pse vitin e kaluar ajo nuk ishte në mesin e të nominuarve u kthye këtë vit me nominim të trefishtë.
“Brit Awards” është mbajtur çdo herë në shkurt mirëpo për shkak të pandemisë këtë vit po mbahet në maj. Ceremonia po ndiqet me prani fizike të publikut pasi që manifestimi është pjesë e Programit hulumtues të qeverisë përmes të cilit po shikohen mundësit për të mbajtur ngjarje kulturore me prani me të madhe të publikut.