Sporti

Kosova U21 në grup me Gjermaninë, Tovërlani: Nuk frikësohemi nga askush

02/02/2023 12:59
nga:Lorik J

Selektori i Përfaqësueses U21 të Kosovës në futboll, Afrim Tovërlani, ka thënë se nuk ia ka frikën asnjë kundërshtari të grupit në kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2025.

Kosova ka mësuar sot kundërshtarët për kualifikimet, teksa fati nuk ishte në anën e tyre. Dardanët ndodhet në grupin D së bashku me Gjermaninë, Poloninë, Izraelin, Bullgarinë dhe Estoninë.

“Larg asaj për të nënçmuar ndonjë ekip, por mendoj se jemi në situatë për t’u mos ju frikësuar asnjë kombëtareje. Ne do të bëjmë më të mirën. Shpresoj të mos kemi lëndime dhe ta kemi grupin e shëndoshë, duke insistuar të luftojmë për një pozitë sa më të mirë. Duhet ta dimë se kualifikimet e fundit na e kanë bërë punën më të vështirë sepse kemi rënë në vazon e pestë. Pra, e theksoj edhe një herë as nuk e nënçmojmë askënd dhe as nuk i frikësohemi askujt. E kemi një grup të mirë të futbollistëve. Shpresoj që ata të kenë minutazh më të madhe në klubet e tyre. Jam shume i bindur se do të kalojmë mirë në këtë grup”, ka thënë Tovërlani pas shortit për faqen e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kualifikimet nisin në mars, ndërsa përfundojnë në tetor të vitit të ardhshëm. Finalja e madhe do të zhvillohet në Sllovaki gjatë verës së vitit 2025.

Ndërkohë, Shqipëria është në grupin E së bashku me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.