Evropa, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë është sërish epiqendër e pandemisë, me një rritje prej 55 për qind të rasteve në katër javët e fundit.
Kosova aktualisht është në një situatë të qetë pandemike, por shtetet përreth numërojnë qindra e mijëra raste ditore me COVID-19.
Ekspertët shëndetësorë kërkojnë zbatim më rigoroz të masave dhe vigjilencë nga institucionet pasi fundi i dhjetorit mund ta gjejë vendin në valën e katërt të COVID-it.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla për KP u shpreh se fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale dhe mosrespektimi i masave anti-COVID mund të bëjë që në fund të dhjetorit apo në janar, vendi të ballafaqohet me një valë tjetër të infektimeve.
Përpos fushatës, Syla thotë se në rritjen e rasteve mund të ndikojë edhe rënia e interesimit për t’u vaksinuar kundër COVID-19 si dhe ardhja e mërgimtarëve për festat e fundvitit.
“Ne në fund kemi filluar të vaksinohemi dhe për atë arsye nuk goditemi nga kjo valë e cila e ka goditur shtetet përreth… Masat që janë marr si duket kanë qenë efektive mirëpo nuk jemi të kënaqur me këto masa tash gjatë kampanjës zgjedhjeve edhe pse për shkolla mund të themi se kemi kaluar testin (dhe) mirë po shkon, por rreziku qëndron tek këto të themi mbledhje që po mbahen, janë hapur kafiteritë, mirë që janë hapur, por nuk po respektohen rregullat në nivelin e kënaqshëm dhe kam frikë që fundi i dhjetorit dhe në janar mund të na përfshijë kjo valë.
Duke u bazuar edhe në atë që numri i të interesuarve për t’u vaksinuar ka rënë… Mos ta harrojmë faktorin e festave që po na afrohen, normalisht që neve na vijnë njerëzit nga diaspora, pranë është Viti i Ri, janë festat e nëntorit, të gjitha këto duhet me t’i marrim parasysh Ministria e Shëndetësisë të paktën që të kërkojë nëpër aeroporte dëshmitë për vaksinim apo që kanë kaluar COVID dhe mos të tolerohen”, tha Syla.
Kryesindikalisti Syla kërkon nga institucionet përgjegjëse që të mbikëqyrin zbatimin e masave anti-COVID që janë në fuqi.
Sipas tij, pasojë e lehtësimit të masave mund të jetë një valë më e rrezikshme.
“Nuk jam për ndërprerje totale por për kontroll më të shtuar në këtë kontest, kur po them kontroll më të shtuar nëse kemi vendosur që të shohim se a janë të gjithë të vaksinuar që hyjnë në restorante apo udhëtarët që vijnë dhe ta zbatojmë këtë dhe unë besoj që atëherë gradualisht do ia dalim.
Por nëse lëshohemi siç jemi lëshuar në këto momente është rreziku që mund të vijmë deri tek një valë më të rrezikshme”, theksoi ai.
Edhe specialistja e mjekësisë familjare, Aurora Dollenberg parasheh rritje të rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë.
Sipas saj, hapja e shkollave dhe lehtësimi i masave sidomos gjatë vjeshtës dhe dimrit mund të ndikojë negativisht në situatën pandemike në vend.
“Pavarësisht situatës shumë të mirë që Kosova po tregon në lidhjen me valën e katërt që ka përfshirë Evropën me variantet e reja të COVID-19, përsëri edhe Kosova mbetet shumë e rrezikuar tani në periudhën e vjeshtës dhe dimrit kur hapja e shkollave e universiteteve dhe shumë administrata publike që funksionojnë qind për qind të gjitha këto janë burime të mundshme të infeksionit”, tha ajo.
Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka paralajmëruar se situata me COVID-19 mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja. Përmes një thirrje publike, IKSHPK i kërkoi qytetarëve që të vaksinohen dhe të zbatojnë masat anti-COVID.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë me COVID-19 pozitivë kanë rezultuar 14 persona, ndërsa nuk është regjistruar asnjë viktimë.