Sporti

Kosova përfaqësohet me dy skiatorë në Lojërat Olimpike Dimërore

02/06/2026 10:10
nga:Sh R

Të premten, më 6 shkurt, nisin Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026 të cilat do të mbahen deri më datën 22 shkurt.

Kosova në këto lojëra përfaqësohet nga skiatorët Kiana Kryeziu e Drin Kokaj.

Të dy atletët janë shprehur optimistë, dhe se do të mundohen që nga kjo olimpiadë të kthehen me rezultate tejet pozitive.

Kryeziu, në një konferencë të disa ditëve më parë, ka folur edhe për përvojën që pati në olimpiadën e kaluar në Pekin, duke thënë se tani synon të arrijë më shumë rezultate.

Në anën tjetër, Drin Kokaj, i cili merr pjesë për herë të parë në Olimpiadën Dimërore, thotë se është një emocion i papërshkrueshëm që do të përfaqësojë Kosovën, dhe shton se do të japë më të mirën për të arritur rezultate tejet të kënaqshme.

Ndërkaq, Shqipëria përfaqësohet në këto Lojëra Olimpike nga 4 skiatorë: Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.

Në fokus të garave do të jetë Lara Colturi, e cila renditet e pesta në botë dhe ka pretendime të mëdha për të fituar medalje olimpike. Gara kryesore e saj do të zhvillohet më 15 dhe 18 shkurt, ku ajo do të garojë për të sjellë një medalje për Shqipërinë.

Në kuadër të përurimit të Lojërave Olimpike, do të organizohen tri ceremoni: një në Milano, një tjetër në Kortina, ku Lara Colturi do të mbajë flamurin shqiptar, dhe një e tretë në Borno.