Sporti

Kosova përballet sonte me Danimarkën, Mehmeti: Një ndeshje e vështirë, shpresojmë në fitore!

07/26/2023 09:28
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Kosovës në basketboll e zhvillon sonte ndeshjen e radhës në parakualifikuese në kuadër të Rrethit të Tretë Parakualifikues për Eurobasket 2025.

Ky takim zhvillohet nga ora 18:00, me ‘Dardanët’ që kanë kryer mbrëmë stërvitjen e parafundit, shkruan GazetaBlic Sport.

Për dallim nga ndeshja kundër Zvicrës, Erjon Kastrati është rikthyer nga lëndimi dhe po stërvitet rregullisht për të qenë i gatshëm.

Ish basketbollisti i mirënjohur kosovar, Artan Mehmeti tha për ‘GazetaBlic Sport’ se ndeshja e sotme është një test i mirë dhe se gjasat janë 50/50.

Ndeshja ndaj Danimarkës është një test i mirë për ne, por edhe një ndeshje e vështirë. Mendoj që gjasat janë 50/50. Ardhja e trajnerit Hadar është një gjë shumë e mirë. Sonte do të shihen shumë gjëra, le të shpresojmë për fitore’, tha Mehmeti.

Pas ndeshjes ndaj Danimarkës, Dardanët më 29 korrik në Fribourg do të ndeshet me Zvicrën, kurse më 5 gusht në Prizren është ndeshja e fundit, kundër Danimarkës.

/GazetaBlic Sport/