Eugen Cakolli hulumtues nga KDI ka reaguar pas gjendjes në Kuvendin e Kosovës, derisa ka thënë se pengimi i jetës parlamentare është pamundësim i demokracisë.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kosova nuk guxon të kthehet në skenat kur Kuvendi shndërrohet në arenë përplasjesh, përcjell Gazeta Blic.
Cakolli ka shtuar se është koha e fundit që spektri politik t’i shmanget një diskursi përçarës.
Postimi i tij i plotë:
Pengimi i jetës parlamentare është pamundësim i demokracisë. Jo vetëm demokracisë në aspektin e numrave, por demokracisë si vlerë.
Kosova nuk guxon t’i kthehet sërish skenave kur Kuvendi shndërrohet në arenë përplasjesh. Mjaft kemi vuajtur pasojat e skenave të para disa viteve.
Është koha e fundit që spektri politik t’i shmanget një herë e mirë një diskursi të tillë përçarës. Këtu, barrën kryesore e ka sigurisht shumica parlamentare – që duhet të jetë më e hapur ndaj propozimeve të opozitës – por edhe këta të fundit, që nuk duhet t’i degradojnë sjelljet e tyre në pengim edhe fizik të punës së Kuvendit.


