Lajme

“Kosova nga kriza në krizë”/ Gërxhaliu paralajmëron për ndikimin e luftës SHBA-Iran: Rritja e çmimit të naftës do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve tjera

03/16/2026 14:00
nga:G B

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se Kosova po kalon nga kriza në krizë, derisa vitin e kaluar pati disa palë zgjedhje e nuk arritën të shfrytëzohen as fondet për Ballkanin Perëndimor dhe e tërë kjo po reflektohet këtë vit.

“Kosova nga kriza në krizë, viti 2025 me disa palë zgjedhje, sanksione nga BE dhe nuk janë shfrytëzuar fondet për Ballkanin Perëndimor dhe e tërë kjo po reflektohet këtë vit. Derisa vendet tjera zhvillojnë dialog duke gjetur mënyra për të minimizuar pasojat e kësaj krize që ka kapluar botën, në Kosovë po priten që të ketë zgjedhje sërish, marrë parasysh edhe çështjen e presidentit”, tha ai në një intervistë për Gazeta Blic.

Ai thekson se në fund të vitit 2025 kanë ndodhur dy çështje, si paralajmërim të krizës që aktualisht po ndodh.

“Çuditërisht në fund të vitit 2025 kanë ndodhur dy çështje, ku ekspertët botëror kanë paralajmëruar se do të ketë krizë në vitin 2026 dhe tjetra ka qenë apeli i menaxherëve të bankave të ndryshme komerciale të cilët kanë apeluar te qytetarët që t’i tërheqin paratë dhe t’i kenë afër vetit dhe kjo tani po reflekton në realitet”, është shprehur eksperti i ekonomisë.

Ai tha se më bota nuk është njësoj pas luftës SHBA-Iran dhe efektet negative janë përhapur shumë shpejt.

Gërxhaliu paralajmëroi se për shkak të rritjes së çmimit të naftës, do të ketë rritje edhe të çmimit të materialit në ndërtimtari e infrastrukturë po edhe në ekonominë e vendit.

“Pas kësaj që po ndodh në Gjirin Persik, pas sulmit amerikan-izraelit në Iran, efektet negative të kësaj lufte janë përhapur me shpejtësi të madhe, bota nuk është më ajo që ka qenë, do të ketë ndryshime në dimensione të ndryshme por në aspektin ekonomik do të jetë një goditje e radhës sepse tani kemi më tepër një 1 mijë anije të ndaluara në Ngushicën e Hornuzit, kemi një dibalanc mes kërkesës dhe ofertës së derivateve të naftës, tani një barrel ka arritur në çmimin 100 dollar në berzha dhe nëse vazhdon kështu mund të shkojë në 150 dollarë në periudhë shumë të shpejtë. Por Kosova është e papërgatitur, do të kemi ngritje të çmimeve në berzha, nevoja për derivate të naftës do të rritet. Kjo ngritje e çmimit të naftës do të ndikojë në inflacion por edhe në ngritje të çmimit të materialit në ndërtimtari, infrastrukturë por edhe në aspektin e ekonomive të vendeve të zhvilluara”, ka deklaruar Safet Gërxhaliu./Gazeta Blic/