Lajme

Kosova në rrezik nga ndryshimet klimatike, Kurti: Po e bëjmë një plan, po lobojmë për të siguruar fonde

06/29/2023 11:06
nga:G B

Kryeministri Albin Kurti tha në fillim të mbledhjes së Qeverisë, se lajmi për vdekjen e nënë e bir në Pejë si pasojë e vërshimeve “jehon edhe sot”.

Duke marrë shkas nga kjo, Kurti theksoi rrezikun nga ndryshimet klimatike. Ai tha se Qeveria është “në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet, e që do të pasohet me planin e menaxhimit të përmbytjeve”.

“Po lobojmë për të siguruar që Kosova të ketë qasje drejtpërdrejt në fonde për këtë qëllim”, tha Kurti. Ai shtoi se vlerësohet se “Kosovës i duhen investime prej më shumë se 1.3 miliard euro në infrastrukturë për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike”.

Ditën tragjike në Pejë, Kurti tha se “brenda vetëm diç më shumë se një ore, ranë gati 55 milimetra shi”.

“Tashmë është e qartë se ndryshimet klimatike paraqesin një rrezik të paprecedentë dhe të drejtpërdrejtë për mirëqenien e qytetarëve, ekonominë e vendit dhe mjedisin përreth. Kosova nuk bën asnjë përjashtim. Ajo është po aq e rrezikuar ndaj thatësirave, zjarreve, rrëshqitjeve të dheut, përmbytjeve dhe humbjeve të biodiversitetit”, tha Kurti.

Kryeministri tregoi se modelimet klimatike për rajonin e Ballkanit Perëndimor tregojnë një rritje më të madhe të temperaturës krahasuar me mesataren globale. Tha se në krahasim me nivele të zakonshme të vitit 1970, temperatura mesatare vjetore në rajon është rritur për 1.2 gradë celsius.

“Kjo ndikon në sasinë e reshjeve, duke sjellë reshje të shumta në forma të shkurtëra dhe të dendura që shkaktojnë përmbytje të shpejta”, tha Kurti.

Në mesatare, Kurti tha se rreth 10 mijë persona preken nga përmbytjet në Kosovë.