Kosova po thellon çdo ditë varësinë nga importet, duke çuar deficitin tregtar në nivele shqetësuese. Vetëm gjatë periudhës janar–shtator 2025, vendi ynë ka importuar mallra në vlerë mbi 5 miliardë euro.
Të dhënat tregojnë se vlera e importeve është rritur me rreth 500 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa sasia e mallrave të importuara është shtuar për afërsisht 350 milionë kilogramë. Kjo tregon një disproporcion mes sasisë dhe vlerës së mallrave, duke reflektuar kosto më të larta dhe varësi më të theksuar nga tregjet e jashtme.
Në anën tjetër, eksportet kanë rënë. Gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, vlera e mallrave të eksportuara ka qenë 630 milionë euro, krahasuar me 658 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2024 – një ulje prej 30 milionë eurosh.
Si pasojë, deficiti tregtar ka arritur mbi 4.4 miliardë euro deri në fund të shtatorit, krahasuar me 3.9 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Situata kërkon urgjentisht masa konkrete për:
• Mbështetjen e prodhimit vendor,
• Nxitjen e eksporteve,
• Krijimin e një strategjie afatgjatë për stabilitet dhe rritje ekonomike.
Megjithatë, realiteti aktual është i qartë:
• Institucionet funksionale mungojnë,
• Kuvendi nuk ka rol aktiv,
• Reformat fiskale nuk po realizohen,
• Vendimet e papërshtatshme të ZRRE-së rëndojnë më tej gjendjen ekonomike të vendit.
Kosova rrezikon të zhytet më thellë në varësinë nga importet nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme.


