Ditë më parë Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kjo u prit mirë dhe me optimizëm për anëtarësim të shpejtë. Mirëpo, duket se për këtë Kosova do të presë edhe një vit. Kjo pasi KiE nuk e ka anëtarësimin e Kosovës në agjendë deri në maj të vitit të ardhshëm.
Seanca e133-të e Komitetit të Ministrave ku mund të nxirret nga sirtari aplikacioni i Kosovës dhe i njëjti të shqyrtohet do të mbahet në kryeqytetin e Islandës në Rejkjavik në maj të vitit 2023.
Lidhur me këtë, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, njëherësh deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se aplikimi në KiE nuk është e arritur e Qeverisë pasi këtë do ta bënte secila qeveri që do të ishte, për shkak të gjendjes në Ukrainë.
“Aplikimi për anëtarësim në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg nuk mund të shihet si e arritur e kësaj qeverie, për shkak se kemi të bëjmë me rrethana reja gjeopolitike në rajon dhe botë pas invazionit ushtarak rus në Ukrainë. Në këtë kontekst, kushdo që do ishte në udhëheqje të vendit do të bënte të njëjtën, për të shfrytëzuar një momentum të tillë të përshtatshëm, që për shkak ka rrethanat e tensionuara në mes të Rusisë dhe Ukrainës”, u shpreh ajo.
Krasniqi potencon se duhet ditur se me aplikim nuk ka përfunduar procesi dhe se duhet angazhim e lobim për anëtarësim.
Sipas saj, anëtarësimi në Këshill të Evropës do të ndodhë brenda një afati optimal.
“Ajo që duhet të dihet është se nuk ka përfunduar ky mision me procesin e aplikimit, institucionet e vendit në këtë rast këta që po duan t’i marrin meritat më të mëdha, duhet të angazhohen më shumë për të siguruar përkrahjen e nevojshme për anëtarësim në KE. E kjo nuk mund të bëhet pa lobim, për çka deri më tani ne nuk kemi parë as përpjekjen me të vogël nga kjo qeveri. Në këtë kontekst, nëse kemi angazhim institucional, marrë për bazë edhe atë që ceka me lartë, konsideroj se çështja e anëtarësimit të Kosovës në KE do të ndodh brenda një afati optimal”, vlerëson deputetja për Gazeta Blic.
Ajo shton se LDK do ta mbështesë gjithë procesin me kapacitetet që ka, si anëtare e EPP-së.
“Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbështesë këtë proces në të gjitha kapacitetet e saj politike. Si anëtarë të EPP-së, ne do të shfrytëzojmë të gjitha kanalet komunikuese tona në këtë drejtim për të siguruar mbështetjen e pa rezervë të familjes sonë evropiane për aplikimin e Kosovës; mbështetje e domosdoshme në Komitetin e Ministrave e në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës – aty ku deputetët e EPP-së përbëjnë grupin më të madh politik sot”, deklaroi Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/


