Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka komentuar politikën e jashtme të vendit gjatë vitit 2024, mungesën e njohjeve dhe mos anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, fillimisht përmend liberalizimin e vizave, për të cilin qytetarët e Kosovës kanë pritur gjatë.
“Gjatë vitit 2024 kemi pas e jemi ballafaquar me disa ngjarje të rëndësishme si Republikë, madje me efekt direkt edhe te qytetarët siç është rasti me heqjen e regjimit të vizave në janar, pas katër vite pritje si rezultat i trumbetimit të temës ndërkombëtarisht mbi ndryshimin/shkëmbimin/korrigjimin e kufirit me Serbinë, të cilën temë Franca e konsideronte si të mundur dhe ndërkohë që e mbante pezull heqjen e regjimit të vizave. Megjithatë, kjo ishte, dhurata më e mirë e shumëpritur për qytetarët që të mund të dilnin nga një getoizim i llojit të veçantë dhe të mund të lëviznin lirshëm brenda zonës Schengen të Unionit Europian”, thotë ai.
Pula përmend dhe zhvillimet në aspektin ekonomik.
“Në kuptim të gjendjes ekonomike gjatë 2024-s në vend, kemi dhënie e shpërndarje të subvencioneve dhe granteve në sektorin e bujqësisë, gjenerim të vendeve të reja pune, start-up të krijuara në disa sektor, formalizimi i shumë vendeve të punës të cilat më parë nuk ishin të deklaruara tek Administrata Tatimore e Kosovës e veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe gastronomisë, por edhe në sektor të tjerë ka dhënë efekte përmbajtësore në rritjen ekonomike e sipas Odës Ekonomike të Kosovës është rreth pesë për qind”, shprehet ai për Gazeta Blic.
Po ashtu, ai përmend bashkëpunimet ndërkombëtare të institucioneve të drejtësisë.
“Diçka që i ka dhënë fuqi shtetërore Republikës, përgjatë 2024-s po ashtu, janë rreth katërdhjetë bashkëpunime ndërkombëtare të institucioneve të drejtësisë me shtete e organizata të ndryshme, e që paraqet rëndësi të veçantë për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”, vlerëson Pula.
Ndërsa, sa i përket dialogut në Bruksel, ai thotë se ka qenë i pasuksesshëm e nuk pati as njohje nga vendet mosnjohëse të BE-së.
“Procesi i dialogut në Bruksel gjatë vitit 2024 ka rezultuar i pasuksesshëm, ngase nuk kemi pas rezultate përmbajtësore, me përjashtim të disa takimeve më tepër kurtuazie në nivel kryenegociatorësh. Çfarë tjetër e rëndësishme të thuhet e fatkeqësisht nuk ndodhi as gjatë këtij viti është se, krerët e institucioneve të Unionit Evropian, njohjen e Republikës së Kosovës nga vet Unioni Evropian nuk e bën!, e as pesë shtetet e saj anëtare mosnjohëse të Republikës, nuk na njohën”, potencon ai për Gazeta Blic.
Ai përmend edhe bërjen e Kosovës pjesë të hartës së StarLink-ut dhe zgjedhjet në BE.
“Gjatë vitit 2024 Republika jonë u bë pjesë e hartës së StarLink-ut, si një nga kompanitë më novatore Amerikane në rruzullin tokësor, e cila mundëson internet pa ndërprerje, në cilindo kënd të vendit madje edhe në gjendje të jashtëzakonshme. Gjatë vitit 2024 u organizuan dhe u mbajtën zgjedhjet, nëpër shtetet anëtare të Unionit Evropian, për garniturat drejtuese të reja të institucioneve. E gjatë viteve në vijim krerët e rinj të Unionit Evropian, do të duhej, ta merrnin vendim-marrjen e shumëpritur mbi njohjen formale të Republikës, si njësi shtetërore për Kosovën, duke e mundësuar kështu procesin e njohjes së shtetësisë sonë, edhe nga shtetet anëtare të UE-së”, deklaron Shqiprim Pula.
Përpos atyre në BE, ai përmend dhe zgjedhjet në SHBA dhe fitoren e Donald Trump.
“Gjatë vitit 2024 u organizuan dhe u mbajtën zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për rezultat kemi rikthimin në zyrën ovale të Donald Trump si president. Natyrisht, për shkak të ndikimeve në shumë sfera jetësore e shtetërore, edhe ne shqiptarët ishim dhe mbetemi në pritje për ndikimin e rritjes së sigurisë shtetërore e ndërkombëtare, e sidomos në këtë periudhë lufte në Evropë, siç është rasti me Ukrainën e që padyshim ka ndikim shumë dimensional në mbarë kontinentin. Gjatë vitit 2024 u festua një datë tepër e rëndësishme e Aleancës VeriAtlantike-NATO, si një ekzistencë e funksionim tre çerek shekulli. E po ashtu, edhe emërimi i sekretarit të ri të kësaj aleance”, përfundon njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula./Gazeta Blic/