Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës ka ndaluar importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga Gjermania, pasi atje është konfirmuar prania e sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve), serotip me patogjenitet të lartë HPAI – H5N1, në disa ferma të shpezëve.
Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga AUV.
“Në përputhje me dispozitat përkatëse të legjislacionit në fuqi dhe në zbatim të masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, AUV vendos si vijon: Ndalohet importi i shpezëve të gjalla dhe i produkteve të tyre si, mish, vezë dhe nënproduktet e tjera, që kanë origjinën nga i gjithë territori i shtetit të Gjermanisë. Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga AUV. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojë të monitorojë me kujdes situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual”, thuhet në njoftim.


