Lajme

Kosova me më shumë votues sesa banorë, anëtari i KQZ-së: Faji te MPB-ja dhe Komunat

01/04/2025 18:48
nga:Sh R

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën e personave që kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Sipas listës votuese që është certifikuar nga KQZ, figurojnë gjithsejtë 2 milionë e 75 mijë e 868 votues.

Nga këta, 1 milionë e 970 mijë e 944 janë me të drejtë vote në vendvotimet në Kosovë dhe 104 mijë e 924 janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës.

Kjo shifër përbën një dallim shumë të madh me numrin e qytetarëve që janë regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë e që sipas të dhënave zyrtare përfundimtare është 1 milionë e 586 mijë e 659.Nëse merret vetëm numri i atyre që kanë të drejtë vote në vendvotimet në Kosovë, i bie që dallon për 384 mijë e 285.

Dallimi është edhe më i madh marrë parasysh se nga numri total i qytetarëve të regjistruar një përqindje janë edhe persona të moshës së re pa të drejtë vote e që s’i mbushin 18 vjeç as në ditën e zgjedhjeve.

Lidhur me këtë për Gazetën Express ka folur anëtari i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, duke thënë se janë disa arsye për këtë.

Elshani ka thënë se në listë të votuesve janë përfshirë edhe qytetarët që deri në ditën e zgjedhjeve janë mbi 18 vjeç dhe gjithashtu edhe qytetarë që jetojnë jashtë vendit.

“Lista votuese përfshinë gjithë qytetarët që deri në ditën e zgjedhjeve janë mbi 18 vjet. Lista votuese përfshinë gjithë qytetarë që jetojnë jashtë vendit”, ka thënë Elshani.

Gjithashtu ai ka thënë se në listë votuese përfshihen edhe persona të vdekur, e që s’janë raportuar nga familjarët e tyre as në Komunë e as në Agjencinë e Regjistrimit Civil.

Elshani shprehet se sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, rreth 1.2 milion qytetarë të Kosovës janë mbi 18 vjeç, që sipas Elshanit nënkupton se rreth 900 mijë të tjerë janë qytetarë që jetojnë jashtë vendit dhe që kanë vdekur.

“Lista votuese përfshinë persona që kanë vdekur, por që nuk janë raportuar nga familjarët e tyre në Komunë dhe ARC. Me regjistrimin e fundit të popullsisë, rreth 1.2 milion qytetarë të Kosovës janë mbi 18 vjeç, që i bie se rreth 900 mijë janë qytetarë që jetojnë jashtë vendit e disa që kanë vdekur”, ka shtuar tutje anëtari i KQZ-së.

Ai ka thënë se listën e votuesve e marrin nga Ministria e Punëve të Brendshme, dhe se sipas tij faji qëndron tek MPB dhe komunat, që s’i kanë përditësuar databazat.

“Listën Votuese ne e marrim prej MBP prandaj, faji qëndron aty dhe tek komunat, qe nuk i kanë databazat e përditësuara”, ka përfunduar Elshani.