Lajme

“Kosova ka sakrifikuar shumë për liri”, mesazhet e Blair para deputetëve të Kuvendit

06/10/2024 19:16
nga:G C

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair në adresimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, deklaroi se nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën në çlirimin e saj para 25 vjetësh.

Mirëpo ai e nënvizoi se triumfi i intervenimit të NATO-s nuk do të kishte ardhur pa vendosmërinë dhe trimërinë e popullit të Kosovës.

“Askush nga ne nuk do të kishte triumfuar pa vendosmërinë dhe trimërinë tuaj, të popullit të Kosovës. Lufta juaj simbolizonte vullnetin tuaj për një të ardhme tjetër. Ajo e ardhme teksa flasim është ende duke u formuar dhe luftuar për të, është për një komb të fortë, të pavarur dhe sovran të Kosovës që Kosova të zërë vendin e saj të merituar në zemër të Evropës në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, u shpreh ish-kryeministri britanik.

Blair tha se Kosova vazhdon të ketë shumë sfida më të cilat duhet të përballet në të ardhmen.

“E di që Kosova ende përballet me shumë sfida. Ka përçarje ende të pashëruara në këtë vend, të cilat shpresoj se me kalimin e kohës mund të shërohen. Ka vende që ende nuk e njohin Kosovën, të cilat duhet të binden ta bëjnë këtë. Dhe për të rinjtë e Kosovës, shumë prej të cilëve kanë lindur pas 10 qershorit 1999, disa prej tyre madje mbajnë emrin tim, me krenari them këtë, për ta ka ende shumë që ne duhet të arrijmë për t’u dhënë atyre mundësitë që meritojnë”, tha ai.

Pas përfundimit të fjalimit, të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës u ngritën sërish në këmbë për ta nderuar diplomatin britanik.

E Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj i ka ndarë ish-kryeministrit britanik Tony Blair medaljen “Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet” në shenjë mirënjohjeje për kontributin në ndalimin e gjenocidit, çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e së drejtës së shqiptarëve për pavarësi.