Lajme

Kosova jashtë Programit të Evropës Digjitale- Vjen reagimi i parë nga partia në pushtet!

07/01/2023 18:10
nga:Y I

Ditën e djeshme u njoftua se Kosova nuk do të jetë pjesë e programit të Evropës Digjitale.

Ky program është në vlerën 7.5 miliardë euro dhe janë të përfshira të gjitha vendet e tjera të rajonit, përveç Kosovës.

Në lidhje me mos-pjesmarrjen e Kosovës në këtë program, ka ardhur reagimi i parë nga partia në pushtet.

Deputetja e këtij subjekti politik, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, tha për “Gazeta Blic” se nuk beson që ky është një sanksion ndaj Kosovës.

“Nuk besoj se është bash ashtu sepse ne jemi projekt i Bashkësisë Evropiane dhe Amerikës, nuk besoj se është sanksion. Politikat janë afatgjata, janë shumë projekte që janë në proces, kemi nënshkru marrëveshje të tjera që janë ndërkombëtare. Së fundmi kaluam edhe një marrëveshje ndërkombëtare që është 47 milionëshe, janë procese afatgjata”, tha Tishukaj-Sadiku për “Gazeta Blic”


Mirlinda Tishukaj-Sadiku LVV

Ish-kryeministri, Avdullah Hoti ka thënë se është dëm i madh për Kosovën që nuk është pjesë e programit të Evropës Digjitale.

“Dëm i madh që Kosova nuk është pjesë e Programit të Evropës Digjitale të BE-së” shkruan Hoti.

Edhe deputetja tjetër që vjen nga LDK-ja, Doarsa Kica-Xhelili, ka kërkuar nga Qeveria të deklarohen se pse Kosova nuk është pjesë e këtij programi.

“Le t’i tregoj Qeveria sot gjithë sektorit digjital të Kosovës, pse Kosova nuk është pjesë e Programit të Europës Digjitale në vlerë prej 7,5 miliard euro, ndërkaq Shqipëria, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut po. Kosova s’ka shumë që u përzgjodh si TechHub i Ballkanit për shkak të kapaciteteve të jashtëzakonshme të rinisë tonë. E para në rajon dhe e 11-ta në Evropë. E merituam më shumë se kushdo në rajon. Sa teori, praktika e politika shtesë izolacioniste na duhen për të kuptuar sa mbrapshtë e konceptojnë këta “zhvillimin” e vendit?Apo edhe kjo është veç “masë” e jo sanksion?Mëkat, turp, dështim e çka jo” shkruan Kica-Xhelili raporton Gazeta Blic.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi dje se Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit do të ishin pjesë e këtij programi, me përjashtim të Kosovës.

/Gazeta Blic/