Sporti

Kosova i kompletoi rrathët olimpikë, Distria e Laura fituan medalje në Paris

01/03/2025 10:49
nga:N K

Kosova vazhdoi të tregohej si një fuqi e sportit në botë edhe në vitin 2024.

Vendi ynë e vazhdoi sensacionin e tij olimpik.

Dardanët u përfaqësuan me nëntë sportistë në katër sporte të ndryshme në Lojërat Olimpike Verore “Paris 2024”, të cilat u mbajtën nga 26 korriku deri më 11 gusht.

Ata parakaluan mbi lumin Sena duke e mbajtur në duar flamurin shtetëror të Kosovës.

Pesë garues vinin nga xhudoja: Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka.

Gjithashtu, në garën që u mbajt në kryeqytetin francez morën pjesë edhe boksieria Donjeta Sadiku, atletja Gresa Bakraqi dhe notarët Hana Beiqi e Adell Saboviq.

Mirëpo, fokusi i të gjithëve dhe shpresat më të mëdha për medalje olimpike ishin tek sporti i xhudos.

Kjo për faktin se ky sport paraprakisht ia kishte siguruar Kosovës tri medalje olimpike.

Me Majlinda Kelmendin në vitin 2016 në Rio dhe me Distria Krasniqin e Nora Gjakovën në vitin 2021 në Tokyo.

Dhe, të gjithë kishin të drejt që prisnin nga xhudoja medalje të reja.

Maestro Driton Kuka me garueset e tij ia solli edhe dy medalje olimpike Kosovës, për t’i kompletuar rrathët olimpikë.

Distria Krasniqi na e zbardhi fytyrën përsëri duke e fituar medaljen e dytë olimpike personale.

Ndonëse këtë herë jo të artën, “Disi” u kënaq me medalje të argjendtë.

Ajo i mposhti kundërshtaret një nga një në kategorinë deri në 52 kilogramë, ndërsa në finale u mund me Wazari nga uzbekja Diyora Keldiyorova.

Distria u ndie e lumtur që u bë sportistja e parë shqiptare në histori që i fiton dy medalje olimpike.

E sensacion i Kosovës në Paris ishte Laura Fazliu.

Xhudistja kosovare e fitoi medaljen e bronztë në debutimin e saj në Lojëra Olimpike.

Në garën e repesazhit, ajo e mposhti kroaten Katarina Kristo në kategorinë deri në 63 kilogramë.

Medaljen, Laura ua dedikoi krejt shqiptarëve.

E garuesit tjerë të xhudos u eliminuan më herët duke mos arritur të fitonin medalje olimpike.

Ndërkaq, garuesit e sporteve të tjera nuk ishin të barabartë dhe të nivelit të garuesve të vendeve të tjera.

Kështu, Kosova arriti në kuotën e pesë medaljeve olimpike në vetëm tri pjesëmarrje në Olimpiada.

Driton Kuka ka premtuar se do të mundohet që edhe në të ardhmen t’i sjell Kosovës medalje olimpike.

Ndërsa, sporteve të tjera iu mbetet të punojnë jashtëzakonisht shumë për ta arritur nivelin që të kërkojnë medalje olimpike.