Kombëtarja e Kosovës hyn në një nga periudhat më të rëndësishme të saj, teksa do të zhvillojë ndeshjet vendimtare të play-off-it për Kupën e Botës 2026.
Përzgjedhësi Franco Foda tashmë ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për këto përballje, duke sinjalizuar qartë ambiciet për një arritje historike.
“Dardanët” fillimisht do të përballen me Sllovakinë në ndeshjen gjysmëfinale, e cila do të zhvillohet më 26 mars në Bratisllavë. Kjo sfidë konsiderohet si testi më i madh për Kosovën në këtë cikël, përballë një kundërshtari me përvojë në arenën ndërkombëtare.
Në rast të një rezultati pozitiv, Kosova do të sigurojë kalimin në finalen e play-off-it, e cila është paraparë të zhvillohet më 31 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Aty, përballë Kosovës do të jetë fituesi i duelit ndërmjet Turqisë dhe Rumanisë.



