Lajme

“Kosova e Kurtit”- Shteti i vetëm në Evropë nën sanksione, tash e 6 muaj, tema e radhës e “Expose”

12/17/2023 15:51
nga:Gazeta Blic

Kosova, për herë të parë në historinë e saj si shtet, tash e gjashtë muaj gjendet nën sanksione nga Bashkimi Evropian. Shteti më i ri në Evropë, u ndëshkua pikërisht nga ato shtete që mbështetën fuqishëm pavarësinë e Kosovës.

Arsyeja e sanksioneve ndaj Kosovës sipas Bashkimit Evropian ka të bëjë me veprimet e njëanshme që kryeministri Kurti ka ndërmarrë në veri të vendit, e që për pasojë kishinin tensionimin e situatës atje.

Saktësisht më 28 qershor, Bashkimi Evropian e kishte njoftuar Qeverinë e Kosovës për sanksionet e vendosura.

Këto masa që konsiderohet se Kosovës i kushtojnë hiq më pak se 500 milionë euro, përfshijnë: suspendimin e MSA-së, suspendimin e projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimin e fonde të IPA-s, pezullimin e takimeve të larta dy palëshe si dhe masa të tjera.

Përkundër këtyre masave që i kushtojnë qindra miliona euro Kosovës, nga ekzekutivi i vendit, dhe nga përfaqësues të pushtetit në vazhdimësi i kanë minimizuar këto sansksione të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Madje, shumë shpesh këto masa janë cilësuar me zero efekt.

Kryeministri Kurti, masat e vendosura nga Bashkimi Evropian i kishte quajtuar si të përkohshme. Bile, edhe si të padrejta.

Ndërkaq, më 12 dhjetor të këtij viti, Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar konkluzionet për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Republikën e Kosovës.

Në konkluzionet e Këshillit, përmenden edhe masat që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës si rezultat i mosplotësimit të kërkesave të Përfaqësuesit të Lartë të bëra publike më 3 qershor.

Në konkluzione thuhet se BE-ja është duke i mbajtur në fuqi masat ndaj Kosovës për shkak të mungesës së veprimeve për të de-eskaluar situatën në Veri të Kosovës.

“Këshilli rikujton se në përputhje me deklaratën e 3 qershorit të Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së, BE-ja po zbaton masa të kthyeshme ndaj Kosovës për shkak të mungesës së veprimeve vendimtare për të de-përshkallëzuar tensionet në veri të Kosovës. Këshilli mirëpret që Kosova ka ndërmarrë hapa drejt përmbushjes së disa prej kërkesave të BE-së. Këshilli rikujton se BE-ja është e gatshme të heqë masat në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave ekzistuese të BE-së. Këshilli do të mbetet i kapur për këtë çështje dhe do t’i rikthehet në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e këtyre kërkesave”, thuhet në dokumentin zyrtar të publikuar në faqen e Këshillit të Bashkimit Evropian.

 Në anën tjetër, partitë opozitare tërë fajin për vendosjen dhe mos heqjen e sansksioneve po ia lënë Qeverisë Kurti.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka theksuar për emisionin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic se kjo qeveri është shumë pak aktive në arenën ndërkombëtare.

Ajo madje, thotë se pos BE-së, edhe SHBA e kishte ndëshkuar Kosovën, duke e pezullur nga ushtrimet ushtarake Defender 2023.

Emisioni dokumentar “Expose”, transmetohet sonte nga ora 21:30 në Kanal 10 dhe Live në Youtube