Sporti

Kosova dhe Shqipëria do të organizojnë Evropianin U16 në volejboll për vitin 2027

03/05/2026 13:19
nga:Mergim Rreci

Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV) e ka miratuar unanimisht kandidaturën e përbashkët të Federatës së Volejbollit e Kosovës dhe Federatës Shqiptare e Volejbollit për organizimin e Kampionatit Evropian U16 për djem në volejboll për vitin 2027.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Bordit të Administratës së CEV-it dhe është konfirmuar përmes një letre zyrtare nga presidenti i CEV-it, Roko Sikirić, drejtuar presidentëve të dy federatave, Bahri Gjinovci dhe Erlind Pëllumbi.

Ky kampionat do të zhvillohet në verën e vitit 2027 në Prishtinë dhe Tiranë, ndërsa finalja e madhe do të zhvillohet në Prishtinë.

Turneu do të mbledhë 16 kombëtare nga e gjithë Evropa, duke u dhënë mundësi volejbollistëve të rinj të tregojnë potencialin e tyre dhe të hedhin hapat e parë drejt një karriere ndërkombëtare.