Lajme

Kosova dhe Shqipëria bëhen me dy marrëveshje të reja në fushën e drejtësisë

11/27/2022 16:09
nga:G C

Kosova dhe Shqipëria janë bërë me dy marrëveshje të reja në fushën e drejtësisë.

Ato u nënshkruan nga ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, dhe homologu i saj Ulsi Manja.

Të dyja marrëveshjet kanë të bëjnë me vendosjen e një bashkëpunimi të ndërsjellët ndërmjet palëve në fushën e sistemit penitenciar dhe lehtësimin e bashkëpunimit të institucioneve në fushën e mbikëqyrjes së ekzekutimit të dënimeve alternative dhe lirimit me kusht.

Haxhiu tha se nevoja e shtrirjes së bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka ardhur si kërkesë nga qytetarët e dyja vendeve.

“Nevoja e kësaj shtrirjeje të bashkëpunimit ka ardhur si kërkesë dhe interes i qytetarëve të të dyja vendeve tona. Prandaj, zgjerimi e thellimi i këtij bashkëpunimi, përmes nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, i kontribuon interesit tonë, duke qenë se i shërben interesit të tyre”, tha Haxhiu.

Njoftimi i plotë:

Sot, në prag të shënimit të 28 Nëntorit, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe homologu i saj, Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja, nënshkruan dy marrëveshje të reja nga fusha e Drejtësisë së të dyja vendeve.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve: (1) “Marrëveshja për vendosjen e një bashkëpunimi të ndërsjellët ndërmjet palëve në fushën e sistemit penitenciar” dhe (2) “Marrëveshja për lehtësimin e bashkëpunimit të institucioneve në fushën e mbikëqyrjes së ekzekutimit të dënimeve alternative dhe lirimit me kusht”, bëhet pas zotimit të dhënë për nënshkrimin e të njejtave nga Ministrat Haxhiu e Manja në Mbledhjen e Tetë të përbashkët të të dy Qeverive, me çka manifestohet edhe më tej simbolika e përbashkimit e bashkëpunimit ndër-vëllazëror e ndër-institucional në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Nevoja e kësaj shtrirjeje të bashkëpunimit ka ardhur si kërkesë dhe interes i qytetarëve të të dyja vendeve tona. Prandaj, zgjerimi e thellimi i këtij bashkëpunimi, përmes nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, i kontribuon interesit tonë, duke qenë se i shërben interesit të tyre.