Lajme

Kosova dhe Serbia në mesin e shteteve që e mbështetën deklaratën për integritetin territorial të Ukrainës

06/16/2024 17:24
nga:Sh R

Tetëdhjetë vende të botës, nga njëqind sa morën pjesë në një samit për paqe në Zvicër bënë thirrje që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë.

Kosova, por edhe Serbia, ishin në mesin e vendeve që mbështetën deklaratën e lëshuar në ditën e fundit të samitit.

Deklarata përfundimtare kërkon arritjen e paqes bazuar në Kartën e OKB-së dhe “respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetin e Ukrainës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.

“Ne besojmë se arritja e paqes kërkon përfshirje dhe dialog mes të të gjitha palëve”, thuhet ndër tjerash në deklaratë.

Pjesëmarrëse në këtë samit ishte edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se sikur në rastin e Kosovës 25 vjet më parë, bota demokratike duhet të qëndrojë sot me Ukrainën.

Në këtë takim nuk ishte e ftuar Rusia, ndërsa mungoi edhe Kina.

Rreth 100 delegacione, kryesisht vende perëndimore, por edhe disa vende kyçe në zhvillim, morrën pjesë në konferencë dhe sipas ekspertëve rëndësi ka se si u rreshtuan këto vende. India, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – të cilat u përfaqësuan nga ministra të jashtëm ose në nivele më të ulët, ishin midis atyre vendeve që nuk nënshkruan dokumentin përfundimtar, i cili fokusohej në çështjet e sigurisë bërthamore, sigurisë ushqimore dhe shkëmbimi i të burgosurve. Po ashtu edhe Brazili nuk e nënshkroi deklaratën, ndërsa Turqia, një vend që ka kërkuar të jetë ndërmjetës mes Rusisë dhe Ukrainës – e ka nënshkruar deklaratën.

Viola Amherd, presidentja e Zvicrës e cila ishte nikoqire e samitit, tha në konferencë për media se fakti se “shumica dërrmuese” e pjesëmarrësve u pajtuan për deklaratën finale “tregon se çfarë mund të arrijë diplomacia”.

Vendet që e mbështetën deklaratën e Samitit: