Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se do ta shqyrtojnë nismën për anëtarësim të Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave apo Konventën e Parisit.
Por Kosova në këtë organizatë është pranuar zyrtarisht si anëtari i 170-të i saj, më 18 mars të vitit 2016 dhe për anëtarësimin e Kosovës në të atëbotë opinionin e pat njoftuar Hashim Thaçi, i cili ishte ende President në pritje, raporton GazetaBlic.
“Kosova u bë anëtare e Byrosë Ndërkombëtare të Ekspozitave, një ndër organizatat më të vjetra ndër-shtetërore në botë. Aplikimi është bërë vitin e kaluar, por tani kemi marrë edhe njoftimin e anëtarësimit si shteti i 170-të anëtar i BIE. Anëtarësimi hap dyert pjesëmarrjes sonë në ekspozitat botërore EXPO si dhe në panairet e tjera të rëndësishme nëpër botë. Mundësi e shkëlqyeshme për bizneset kosovare”, kishte shkruar Thaçi në Facebook.
Lajmin për anëtarësimin e Kosovës në BIE në vitin 2016 e patën përcjellë të gjitha mediat kryesore, si GazetaBlic, Koha, Telergrafi, Klan Kosova, Zëri, Politiko, RTV21, etj.


