Lajme

Kosnett e takon kryetaren e Kushtetueses: Qeveritë t’i zbatojnë të gjitha vendimet e kësaj gjykate

07/12/2021 16:30
nga:Q R

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett e ka takuar sot kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani, me të cilën tha se bisedoi lidhur me forcimin e gjyqësorit në Kosovë.

Kosnett ka shkruar në Twitter se qeveritë duhet t’i zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Me Kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, përsëritëm mbështetjen e SHBA-së për një gjyqësor të fortë dhe të pavarur. Që gjykatat e Kosovës të kenë sukses, qeveritë duhet t’i zbatojnë TË GJITHA vendimet e gjykatës”, shkroi Kosnett.

Ai shtoi se “Vonesat e vazhdueshme (në zbatimin e vendimeve të Kushtetueses) kërcënojnë angazhimet e Kosovës për drejtësi të barabartë dhe sundim të ligjit”.

Pesë vite më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ndër tjerash ka marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Këtë vendim SHBA-ja ka kërkuar që Kosova ta zbatojë.

Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga institucionet e Kosovës, konkretisht komuna e Deçanit, pavarësisht thirrjeve për një gjë të tillë nga komuniteti ndërkombëtar.

Simmons: Specialja u bë vetëm për t’i dënuar ish-komandantët e UÇK-së