Meriton Korenica është shprehur optimist para ndeshjes së Kosovës me Irlandën, duke theksuar motivimin e lartë të “Dardanëve”.
Korenica iu bashkua Kosovës pas lëndimit të Donat Rrudhanit dhe tashmë ka zhvilluar dy stërvitje me ekipin.
“Sapo e kryem stërvitjen e dytë, po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen e parë. Gjithçka po shkon shumë mirë, të gjithë lojtarët janë të motivuar për ndeshjen e parë”, deklaroi ai.
Sulmuesi beson se Kosova ka potencial për të marrë pikët e plota, ndërsa ka kërkuar edhe mbështetjen e tifozëve.
“Kosova ka treguar potencial shumë të madh për këto ndeshje edhe pres që të fitojmë. Në çdo ndeshje të japim maksimumin dhe të marrim tre pikë, më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Korenica.
/GazetaBlic Sport/


