Cult

Kontributi i sekretares amerikane Madeleine Albright në marrjen e vendimit për intervenim e NATO-s në Kosovë

03/24/2022 10:47
nga:Gazeta Blic

Artan Reshani
Veprimet e dhunshme ushtarake dhe të tmerrshme që kishte nisur presidenti jugosllav Slobodan Milosheviqi në pranverën e vitit 1998 në Kosovë, hasën në kundërshtim të fortë nga Departamenti i Shtetit Amerikan, i kryesuar nga diplomatja Madeleine Albright. Aktet e dhunshme që kishte ndërmarrë pushteti i Beogradit në krye me Milosheviqin, ishin të papranueshme për botën demokratike.

Dhe, për këto veprime brutale ndaj popullatës së Kosovës, Albright ishte pa asnjë dyshim zëri më i fuqishëm i diplomacisë amerikane për agresivitetin e ushtruar nga Milosheviqi, të cilin e bënte përgjegjës kryesor për atë që ndodhte në Kosovë. Përgjatë verës e deri në vjeshtë vrasjet e njerëzve të pafajshëm si burra, pleq e fëmijë nuk kishin të ndalur. Për sekretaren e Shtetit Albright “Kjo ishte përgjigjja që Milosheviqi u jepte Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s”. Duke e ditur se çfarë në të vërtetë po ndodhte në Kosovë dhe se çfarë mund të ndodhë në vazhdim nga regjimi i Milosheviqit, ajo ishte betuar që të mos e linte të përsëriteshin kasaphanat e mëparshme. Për mizoritë që shkaktonte Milosheviqi në Kosovë, sekretarja e Shtetit, Albright kërkonte dy mbështetje alternative: Ose Milosheviqi duhet të ndalë dhunën në Kosovë, ose do të përballet me sulmet e NATO-s duke thënë se “NATO është e gatshme të sulmojë”.

Megjithatë, makineria e hekurt e Milosheviqit nuk u ndal dhe vazhdoi ushtrimin e dhunës dhe gjenocidin në Kosovë. Më 15 janar 1999 forcat ushtarake e policore serbe kryen masakrën më të rëndë në Reçak të Shtimes, duke masakruar 45 civilë. Kjo masakër i dha shtysë politikës amerikane, veçanërisht sekretares së Shtetit, Albright, se duhet ndërmarrë hapa konkretë për të ndaluar makinerinë e Milosheviqit që vazhdonte pa trembur të kryej gjenocid ndaj një popullate krejtësisht të pambrojtur e të pafajshme. Me të parë këtë masakër në Reçak, Albright ishte shprehur menjëherë për një angazhim të përdorimit të forcës ushtarake nga NATO në Kosovë, me të vetmin qëllim të parandalimit të mëtutjeshëm të dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe të udhëhequra nga Milosheviqi. Qëndrimin e saj të qartë e bën kur thotë:

“Thirra në një takim ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s dhe u propozova që aleanca të rishikonte dhe modernizonte planet për fillimin e goditjeve ushtarake. Në rastin me të parë mblodha në zyrën time një grup që përfshinte Strobe Talbott-in, James Rubin-in dhe Marton Halper-in, njeri inteligjent dhe kuadër i skemave, që kishte përballuar beteja në Uashington dhe që kohën e fundit kishte zëvendësuar Greg Craig-un në vendimin e drejtorit të Zyrës sonë për Planifikimin e Politikave. Së bashku përpunuam një qasje që gërshetonte kërcënimin e goditjeve ajrore me objektivin për realizimin e një zgjidhje politike”.

Masakra e 15 janarit në Reçak lëvizi diplomacinë amerikane drejt angazhimit për të ndalur luftën në Kosovë, duke u dhënë mundësi palëve në konflikt që përmes bisedimeve të ndalnin luftën, e të arrihej paqe për t’iu shmangur përdorimit të forcave ushtarake të NATO-s, nën udhëheqjen e SHBA-së mbi Jugosllavinë. Qëllimi i politikës amerikane ishte që, përmes sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, të sillnin palët në bisedime e të arrihej marrëveshje paqe, për t’iu shmangur një ndërhyrje të forcës ushtarake nga NATO-ja.

Përpjekjet diplomatike të sekretares çuan palët e përfshira në konflikt të fillonin bisedimet më 6 shkurt në Konferencën e Rambujesë dhe, po të dështonte konferenca, do të nënkuptonte përdorimi i forcës. Planin që kishte përgatitur Albright ishte tejet i qartë, të cilin ua kishte bërë me dije edhe homologëve evropianë, edhe atyre rusë. Ajo thotë: “Nëse Konferenca e Rambujesë do të dështonte, përgjegjës do të ishte ajo palë, e cila nuk do të nënshkruante marrëveshjen të Fuqive të Mëdha të përfaqësuara në Grupin e Kontaktit për zgjidhjen e krizës”.

Kontributi i sekretares Albright shtyri pajtimin e delegacionit kosovar që ta pajtohej për nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë. Me pranimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes të delegacionit shqiptar të Kosovës, ajo kishte deklaruar: “Natyrisht, nuk mund të ketë marrëveshje nëse serbët nuk nënshkruajnë. Tani për tani nuk ka asnjë shenjë që serbët të bien dakord. Kështu që situata është aq e qartë sa mund të jetë: shqiptarët u thanë po marrëveshjeve dhe serbët po thonë jo. Në të njëjtën kohë, forcat e sigurisë në Beograd po rritin veprimet e tyre të pajustifikuara dhe agresive në Kosovë. Nëse Beogradi nuk tërhiqet, serbët vetëm do të jenë përgjegjës për pasojat. Do të doja të kujtoja presidentin Milosheviq që NATO-ja është e gatshme të marrë çfarëdo masa të nevojshme.

Kundërshtimi i fortë i presidentit jugosllav, Milosheviq, kundër diplomacisë amerikane e cila përmes sekretares së Shtetit bënte thirrje për nënshkrimin e paqes, rriti përkushtimin që Shtëpia e Bardhë të merrte vendimin për të intervenuar ushtarakisht në Kosovë. Kështu zonja Albright ishte bindur se ai nuk heq dorë nga lufta mbi shqiptarët në Kosovë dhe nuk do të nënshkruante marrëveshjen. Ajo mendonte se sulmet ajrore ishin i vetmi opsion për të ndaluar dhe shkatërruar Milosheviqin ushtarakisht. “Pritja për ndërhyrje ishte forcuar shumë nga Departamenti i Shtetit dhe sekretarja Albright, me argumentin e saj të fuqishëm moral”, e kishte shtyrë fuqishëm përkrahjen që SHBA-ja duhet të ndërhynte ushtarakisht ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë. Jo vetëm Departamenti i Shtetit në krye me sekretaren Albright po mbështeste ndërhyrjen e SHBA-së me sulme ajrore, por edhe Senati Amerikan i dha mbështetje synimit politik të presidentit amerikan, Bill Clinton, për të intervenuar ushtarakisht në Kosovë. Kjo mbështetje për presidentin erdhi më 23 mars, kur Senati Amerikan e miratoi një rezolutë të paraqitur nga senatori Joseph Biden Jr., e cila e autorizonte presidentin “të kryejë operacione ajrore ushtarake dhe sulme raketash kundër Jugosllavisë”.

Kur kjo mbështetje për sulme ajrore tashmë u mor nga Senati, sekretarja amerikane menjëherë kishte deklaruar mbështetjen për të shkuar në marrje të vendimit për të filluar intervenimin ushtarak, duke thënë: “NATO është e gatshme të veprojë, dhe këtu jemi tani”, duke lënë të kuptuar se SHBA-të së bashku me NATO-n tashmë pritet të fillonin me sulme ajrore, pasi që edhe ambasadori Holbrooke nuk ishte në gjendje ta bindte liderin jugosllav, Slobodan Milosheviq”. Vendimi për të ndërmarrë sulme ndaj Jugosllavisë erdhi si pasojë e mosnënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë nga pala serbe dhe pas dështimit të përpjekjes së fundit diplomatike të Holbrookut për ta bindur presidentin jugosllav, Slobodan Milosheviq, që të pajtohet me marrëveshjen. Me këtë zonja Albright shpreh angazhimin e fuqishëm të presidentit Bill Clinton, i cili që nga fillimi i krizës së Kosovës dha kontribut të madh për atë, duke thënë: “Presidenti Clinton ka qenë duke u takuar me anëtarët e Kongresit, të dyja, dhe ne ndjehemi shumë fort se kjo është gjëja e duhur për të bërë dhe jemi të kënaqur nga mbështetja që ne kemi.” Për këtë vendim të sulmeve nga ana e NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe në Kosovë e Serbi, kishte rëndësi të madhe interesi nacional amerikan. Zonja Albright e argumenton kështu: “Por kur mendojmë se interesat tanë kombëtar janë prekur dhe mund të preken në një mënyrë shumë më të keqe, atëherë unë besoj se është një gjë e zgjuar për të bërë.

Unë mendoj se duhet të mësojmë mësimet e këtij shekulli dhe duke e ditur që nëse qëndrojmë pranë dhe shikojmë këto lloj gjërash evoluojnë se ato vetëm sa do të përkeqësohen dhe ne do të paguajmë një çmim më të lartë shumë më vonë”. Të gjitha ishin përgatitur për të ndërmarrë sulmet ushtarake ajrore ndaj Jugosllavisë dhe SHBA-të tashmë kishin planin fillestar në lidhje me këto sulme. Megjithatë, ata nuk i shpalosën në detaje planet e tyre. Albright tha se “qëllimi i kësaj është që të pengojë Slobodan Milosheviqin të vazhdojë me tërbimin e tij, të hyjmë brenda – duke i penguar ushtrinë dhe policinë speciale të tij të vënë fshatrat në zjarr. Pra, është krijuar për ta penguar atë, dhe gjithashtu për ta dëmtuar aftësinë e tij.”

E gjithë kjo që u tha për intervenimin ushtarak të NATO-s për të dëmtuar aftësitë ushtarake të Milosheviqit, mund të realizohej “shumë mirë përmes sulmit ajror. ”Vërtet operacioni i NATO-s, që do të udhëhiqej nga SHBA-të, ishte një gjë tepër e rëndësishme për ata dhe të gjithë aleatët e NATO-s që ishin të bashkuar për intervenim. Kjo mbështetje e përbashkët erdhi edhe falë një pune të palodhshme të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Willaim Cohen, i cili ishte në kontakt të vazhdueshëm me ministrat e mbrojtjes, si dhe kontaktit të pandërprerë që kishte zonja Albright me ministrat e jashtëm. Vendimi i SHBA-së për të intervenuar ushtarakisht në Jugosllavi ishte shumë i vështirë. Ky vendim kishte ardhur si pasojë e dështimit të arritjes paqe me Milosheviqin, diçka që SHBA-të kishin bërë çmos me mjete diplomatike. Pra, kur bisedimet paqësore dështojnë, zgjidhja e vetme mbetet intervenimi ushtarak, dhe kjo zgjidhje ushtarake pastaj erdhi falë përkushtimit të sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, dhe të presidentit amerikan Bill Clinton si president i një vendi më të fuqishëm politik e ushtarak në botë, për t`u dhënë fund mizorive që po i bënte presidenti jugosllav ndaj popullin kosovarë.

Për t’u dhënë shtysë të fortë të gjitha këtyre proceseve diplomatike deri te intervenimi ushtarak, sekretarja e Shtetit, Albright, shprehet vetë se “Punova ditë e natë për të bërë çmos që përdorimi i forcës të mbështetej nga e gjithë Aleanca”. Punën që kishte bërë Albright përmes konferencave dhe telefonatave të përditshme me aleatët në lidhje me mbështetjen për intervenim çoi në kompromisin dhe unitetin e aleatëve perëndimorë për sulmet e NATO-s.

Angazhimi i saj përmes telefonatave kishte për qëllim që vendosmërinë e saj dhe të SHBA-së të mbante në një linjë me të gjithë ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të NATO-s, për t’i dërguar sinjal të qartë liderit jugosllav, Slobodan Milosheviq. Kontakti më i shpeshtë telefonik ishte me ministrin e jashtëm britanik, nga i cili kërkonte që edhe ai t’i mbante në kontakt të vazhdueshëm ministrat e tjerë të NATO-s për të qenë në një linjë të përbashkët ndaj qëllimeve të sulmeve ajrore, sepse kishte kryeqendra evropiane që këmbënguljen e Albright-it për të intervenuar ushtarakisht në Kosovë e cilësonin si “Lufta e Madeleine.” Mirëpo, politike e jashtme e saj ishte që Kosova të mos i lihej Milosheviqit për shkatërrimin e tërësishëm dhe destabilizimit të Evropës. Por, më e mira e gjithë këtij angazhimi të Zonjës Albright padyshim ishte mbështetja e plotë dhe e pakursyer e presidentit të SHBA-së, Bill Clinton.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka një rol të madh në politikën e jashtme amerikan i cili “është këshillues i Presidentit, i cili mban mbi supe përgjegjësit kryesore të formulimit dhe ekzekutimit të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Ky departament vlerëson interesat amerikane në vendet e tjera, jep rekomandime mbi politikën dhe veprimet e ardhshme dhe merr masat e nevojshme për të vënë në jetë një politikë të përcaktuar”.

Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, i dha mbështetje politike presidentit, Bill Clinton, për të ekzekutuar vendimin e intervenimit të NATO-s si më se i nevojshëm për politikën e jashtme amerikane. Pak orë para fillimit të sulmeve ajrore kundër Jugosllavisë, presidenti amerikan, Bill Clinton, e kishte marrë në telefon sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, për të ndarë së bashku të gjitha përpjekjet deri në marrjen e vendimit për intervenim. Presidenti Clinton iu drejtua asaj se ne “Po bëjmë atë që duhet. Do të kemi një rrugë të gjatë dhe është diçka që nuk do të mbarojë shpejt, por mendoj se i kemi parë të gjitha alternativat”. Kurse për këtë gjë sekretarja e Shtetit i kishte thënë presidentit se “të gjitha përpjekjet që kishim bërë për të gjetur një zgjidhje diplomatike, përfshirë edhe pesëmbëdhjetë udhëtimet që kisha bërë për t’u këshilluar me aleatët gjatë një viti më parë. Folëm për përgjegjësit që kishim ndaj kosovarëve dhe veçanërisht ndaj forcave tona të armatosura. Dërgimi i të rinjve dhe të rejave në luftë është vendimi më i vështirë që mund të marrë një president. Asnjë udhëheqës amerikan nuk mund të angazhojë trupa në një ndërmarrje ushtarake pa i peshuar mirë e mirë të gjitha kostot. Në këtë rast ne e kishim bërë këtë. Presidenti tha përsëri: “Mendoj se po e bëjmë atë që duhet”- “Po, zoti president, – i thashë.- “Po bëjmë atë që duhet”.

Mbështetja e plotë politike e sekretares amerikane i dha besim të madh presidentit Clinton që sulmet ajrore të NATO-s, të udhëhequra nga SHBA, të fillonin më 24 mars 1999. Pasi që sulmet kishin filluar, zonja Albright nga Departamenti i Shtetit kishte deklaruar para gazetarëve se pse NATO duhej të intervenonte në Kosovë, duke dhënë edhe argumente të forta. Ajo deklaroi: “Së pari, duhet të jemi të qartë se ekziston vetëm një arsye që ne kemi lëvizur nga diplomacia e mbështetur nga kërcënimi i forcës në përdorimin e forcës së mbështetur nga diplomacia. Kjo arsye është presidenti Milosheviq. Është e pamundur për ne që të negociojmë, ndërsa ai ndërton forcat e tij, sulmon civilët dhe djeg fshatrat në Kosovë. Aksionet e NATO-s kanë për qëllim paqen dhe sigurinë e mëtejshme në Evropë dhe për t’i dhënë fund mizorive dhe një krize humanitare”. Duke argumentuar sulmet që kishin filluar mbi forcat serbe, Albright deklaroi edhe qëndrimin e të gjithëve në mbështetje të kësaj fushate ajrore, e cila tha: Ne jemi shumë të kënaqur me mbështetjen e gjerë ndërkombëtare që NATO ka arritur në të vërtetë”, dhe në fund shtoi se “se kjo fushatë ajrore vazhdon dhe ka një objektiv dhe do të zgjasë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Gjatë gjithë procesit në karrierën politike që ishte ballafaquar sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, nata e parë kur filluan bombardimet ushtarake në Kosovë është kujtimi më mbresëlënës i saj. Ajo ndihet përgjegjëse për këtë, duke krahasuar bisedimet politike në tavolinë dhe jetët e rrezikuara të pilotëve në aeroplanë ushtarakë. I gjithë kontributi i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, erdhi falë ndërgjegjes së saj morale e politike ndaj një populli të pambrojtur e të shtypur përgjatë një shekulli nga regjimi ushtarak e policor serb, e sidomos gjatë udhëheqjes nga diktatori i dhunshëm, lideri jugosllav, Slobodan Milosheviq.