Lajme

Kontrabanduan migrantë, Gjykata Themelore në Prizren merr vendim për dy të pandehurit

09/22/2021 16:04
nga:M K

Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim për paraburgim prej 30 ditësh për dy të pandehur që akuzohen për kontrabandë me migrantë.

Përmes një komunikate dërguar mediave, bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës, Skender Çoçaj, ka caktuar masën e paraburgimit, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit, 20.09.2021, përcjell GazetaBlic.

Më poshtë edhe komunikata e plotë.

Caktohet masa e paraburgimit ndaj dy (2) të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: kontrabandimi me migrantë
Prizren, 22 shtator 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës – Skender Çoçaj, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 20.09.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 20.10.2021, ndaj të pandehurve F.R., dhe Sh.B.., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: kontrabandimi me migrantë, nga neni 164 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve F.R., dhe Sh.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

– Më datë 20 shtator, në orët e mesditës në autostradën “Ibrahim Rugova” – aksin rrugor Vërmicë – Prizren është vërtetuar se të pandehurit në bashkëkryerje merren me kontrabandim të migrantëve, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë pasurore, në atë mënyrë që derisa policia kufitare ishte duke patrulluar në lokacionin e lartpërmendur, vërejnë veturën (1) të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri F.R., si dhe një veturë tjetër (2) të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri Sh.B., ku brenda veturës (1) të të pandehurit F.R., ishin 5 shtetas sirianë, ndërsa në veturën (2) të pandehurit Sh.B., kanë qenë 4 shtetas sirianë, por të cilët me të vërejtur policinë kanë dalë nga vetura (2) e të pandehurit Sh.B., dhe janë larguar nga i vendi i ngjarjes, me ç ’rast të pandehurit janë ndaluar nga ana e policisë së bashku me 5 shtetasit e tjerë sirianë, të cilët u janë nënshtruar procedurave të rregullta nga autoritetet kompetente të emigracionit.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura është në fazën fillestare, dhe nëse të pandehurit lihen në liri mund të fshihen apo të largohen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, si dhe duke marrë parasysh peshën e rëndë dhe rrezikshmërinë e madhe shoqërore nga vepra penale e dyshuar kontrabandim me migrantë, i cili aktivitet është në rritje në vendin tonë, e bëjnë të arsyeshme dhe të domosdoshme që ndaj të pandehurve të lartcekur të caktohet masa e paraburgimit.

Nga të lartcekurat Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit për të pandehurit është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për shkak të mbarëvajtjes së rregullt të procedurës penale – hetimore, kështu që ndaj të pandehurit të lartcekur u caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.