Lajme

Konstituimi i shpejtë i institucioneve, theks i veçantë i takimit mes Osmanit dhe Prattipatit

01/15/2026 18:46
nga:Sh R

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.

Diplomatja amerikane, ia përcolli shefes së shtetit, urimin për Vitin e Ri për presidentit të ShBA-së Donald Trump.

Gjatë këtij takimi u diskutua për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike, çka u vlerësua lart nga të dyja palët.

“Duke vënë theksin në rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve, u ritheksua nevoja që ky proces të zhvillohet në përputhje të plotë me kushtetutën”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani dhe diplomatja amerikane, shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për një sërë çështjesh të rëndësishme në rrafshin e bashkëpunimit bilateral.

Shefja e shtetit të Kosovës, theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të ecur përpara krah për krah me Shtetet e Bashkuara, në frymën e besimit të ndërsjellë, vlerave të përbashkëta dhe bashkërendimit të ngushtë në proces strategjike.