Kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ngushëllon për humbjen e policit, Afrim Bunjaku, i cili u vra nga sulmuesit serbë dje në Veri të vendit, raporton Gazeta Blic.
Konjufca thotë se ky lajm ka qenë tronditës për të.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin tronditës për ndarjen nga jeta të më të dashurit Tuaj, Rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka shkruar ai.
Tutje tha se rënja e policit Afrim Bunjaku, për ruajtjen e rendit dhe ligjit në territorin e Kosovës është shembull i sakrificës.
“Rreshter Afrimi ra në krye të detyrës së shenjtë për ruajtjen e rendit dhe ligjit dhe vendosjen e kushtetutshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke dhënë shembullin e profesionalizmit të lartë, guximit të pashoq, atdhedashurisë dhe sakrificës së jashtëzakonshme”, ka shkruar kryetari.
Ndër të tjera kryetari Konjufca thotë se humbja e Rreshter Afrimit është humbje e madhe për familjen dhe Policinë e Kosovës, si dhe shpreh ngushëllime në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të tij.
“Vdekja e Rreshter Afrimit është një humbje e madhe për familjen dhe Policinë e Kosovës, por edhe për mbarë popullin dhe institucionet e shtetit tonë. Do të kujtohet përherë përkushtimi i tij në shërbim të qytetarëve dhe vepra e lavdishme në mbrojtje të Republikës”, ka thënë ai.
“Duke ndarë dhembjen bashkë me ju, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, përfundon Konjufca.


