Lajme

Konjufca pret në takim kryetarin e Grupit të Miqësisë në Parlamentin e Estonisë, Kristo Enn Vaga

06/26/2024 16:13
nga:G C

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca sot ka pritur në takim kryetarin e Grupit të Miqësisë me Kosovën në Parlamentin e Estonisë, deputetin Kristo Enn Vaga.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në këtë takim u diskutuan çështje të ndryshme të interesit të përbashkët.

Konjufca i uroi mirëseardhje dhe e falënderoi deputetin estonez, Kristo Enn Vaga për vizitën, duke e vlerësuar këtë si tregues të angazhimit për të forcuar gjithnjë e më shumë bashkëpunimin mes dy shteteve.

Derisa, bashkëbiseduesit kanë ndarë pikëpamjet e tyre për të ecur drejt thellimit të këtyre raporteve, në fusha si ajo e tregtisë, sigurisë, teknologjisë informatike dhe digjitalizimit, integrimet evropiane, si dhe në shkëmbimin e përvojave parlamentare.

“Pasi diskutuan për situatën politike në vendet përkatëse, si dhe për aspekte të sigurisë që përfshijnë rajonin dhe gjithë Evropën, kryetari Konjufca ritheksoi se mbështetja e Estonisë ndaj Republikës së Kosovës në aspiratën e saj për integrim në organizata ndërkombëtare është e rëndësishme, duke shprehur mirënjohje ndaj shtetit estonez, me pritshmërinë që kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Grupit të Miqësisë me Kosovën në Parlamentin e Estonisë, Kristo Enn Vaga e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, shprehu gatishmërinë e Estonisë për angazhim në drejtim të marrëdhënieve sa më të ngushta dypalëshe dhe vazhdim të mbështetjes për Republikën e Kosovën.