Lajme

Konjufca në takim me Mizuuchin: U konfirmua vazhdimi i mbështetjes së Japonisë për Kosovën edhe në të ardhmen

10/02/2023 17:33
nga:Genita C

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi, raporton GazetaBlic.

Sipas komunikatës së lëshuar për medie, në këtë takim kryetari Konjufca e njohu ambasadorin Mizuuchi me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Kreu i Kuvendit foli për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Japonisë dhe shfaqi interesimin për ta thelluar edhe më tej atë, në dobi të interesave reciproke dhe të miqësisë midis dy vendeve.

Tutje, Konjufca konfirmoi mbështetjen e institucioneve vendore sa i përket angazhimeve për rritje edhe më të madhe të investimeve japoneze në Republikën e Kosovës dhe avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

Po ashtu kryetari Konjufca falënderoi diplomatin japonez për mbështetjen që Japonia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në shumë fusha, duke potencuar rëndësinë që kjo përkrahje të vazhdojë, përfshirë aspiratat për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.