Lajme

Konjufca e quajti të vdekur dialogun me Serbinë, deputeti i VV-së: Duhet rifreksim dhe rimendim për dialogun

09/09/2024 22:27
nga:G B

Të vdekur e ka quajtur dialogun Kosovë-Serbi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Këtë deklaratë e bëri sot pas mbledhjes së kryesisë, teksa shtoi se dialogu arkivolin e ka pasur në sulmin terrorist të Banjskës.

“Unë konsideroj që sa i përket perspektivës së dialogut, dialogu, ndodhet në një qorrsokak, prej të cilit nuk po shoh shumë rrugëdalje. Këtij qorrsokak pasa se të gjithash i ka kontribuuar Serbia, me veprimet e veta. Unë mendoj që dialogut në formatin qysh ka qenë prej 2011 e ka pasur arkivolin më 24 shtator të vitit të kaluar, me sulmin terrorist në Banjskë”, tha Konjufca.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic është deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.

Ai e quan humbje kohe dialogun aktual që thotë se është i pabalancuar dhe me qasje destruktive.

“Dialogu aktual, i pabalancuar dhe me këtë qasje destruktive dhe armiqësore të Serbisë ndaj sovranitetit dhe territorit të Kosovës, është humbje kohe”, vlerëson ai.

Sipas Batushës, “duhet rifreskim dhe rimendim për dialogun”./Gazeta Blic/

 

Konjufca: Dialogu ka vdekur, arkivolin e ka pasur me sulmin terrorist të Banjskës