Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim drejtorin e Qendrës Përkujtimore Srebrenica, Emir Suljagiq.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se në takim u bisedua lidhur me të kaluarën “e cilësuar nga krimet e luftës dhe gjenocidi i përgjakshëm i Serbisë ndaj popullit shqiptar dhe boshnjak”, si dhe për nevojën e bashkërendimit kundër përpjekjeve që duan të cenojnë apo fshehin qëllimtazi të vërtetën, kundër tentativave për të vonuar apo shmangur vendosjen e drejtësisë.
Konjufca theksoi se Kuvendi ka miratuar një rezolutë përmes së cilës e njeh zyrtarisht si gjenocid masakrën e Srebrenicës, duke konfirmuar kështu mbështetjen e pakursyer ndaj Bosnjë-Hercegovinës në këtë drejtim.
Suljagiq e falënderoi Konjufcën për pritjen dhe shprehu mirënjohje për miratimin e kësaj rezolute nga Kuvendi i Kosovës, si dhe potencoi rëndësinë e bashkëpunimit, për të ekspozuar sa më efektivisht krimet e luftës dhe gjenocidin, për të mbrojtur dinjitetit dhe të vërtetën, të cilën Serbia në mënyrë shtetërore përpiqet ta fshehë apo shtrembërojë.