Lajme

Konjufca: Demokracia mirëmbahet nëpërmjet angazhimit qytetar

09/16/2024 17:12
nga:G C

Me moton globale “Qeverisja efektive e Inteligjencës Artificiale në të gjitha nivelet” dhe me prezencën e një numri të madh të përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile e organizatave partnere, qytetarëve, nxënësve e të ftuarve të tjerë, Kuvendi i Republikës së Kosovës shënoi sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Hapjen e kësaj dite e bëri kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili para ta pranishmëve potencoi rëndësinë e shënimit të saj, si dëshmi e partneritetit që Kuvendi ka konsoliduar me qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile.

Kryetari Konjufca tha se kremtimi i Ditës së Demokracisë është i rëndësishëm për ta theksuar rëndësinë e idealeve të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, për ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse. Ai shtoi se është e rëndësishme ta njohim progresin demokratik që e ka shënuar Kosova, duke qëndruar paralelisht përkrah botës demokratike në ruajtjen e idealeve që përfaqëson demokracia, sidomos në këtë kohë të sfidave të mëdha globale.

“Demokracia mirëmbahet nëpërmjet angazhimit qytetar, sepse pasqyron vlerat e aspiratat tona të përbashkëta. Është detyrë dhe obligim i secilit prej nesh që të jemi pjesëmarrës aktiv në vendimmarrje dhe të avokojmë pa u ndalur për ndryshime pozitive”, tha kryetari Konjufca.

Sipas tij, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë qenësore për demokracinë.

Kreu i Kuvendit tha pa transparencë nuk ka demokraci dhe rritje të llogaridhënies institucionale.

“Asnjë sukses i Kuvendit nuk mund të jetë i plotë pa kontributin dhe partneritetin me qytetarët, pa organizatat e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë e po ashtu edhe mediat, të cilat i falënderoj për përcjelljen e punës së Kuvendit”, tha kryetari Konjufca, duke ftuar qytetarët që të vijnë në Kuvend.

Ndërsa Nancy Soderberg, drejtoreshë e lartë rezidente e Institutit Demokratik Ndërkombëtar (NDI) në Kosovë, tha se Kosova ka mundësi të ngris standarde më të larta, që do të shfrytëzoheshin për të mirën e shoqërisë në përgjithësi dhe për të punuar për transparencën.

Ajo tha se NDI është e zotuar të mbështes qeverisjen, përfshirë këtu edhe transparencën e llogaridhënien.

“Të bashkohemi në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë dhe të punojmë së bashku për të dëshmuar vlerat demokratike dhe mjetet moderne digjitale, për të ndërtuar një Kosovë që është e hapur për të gjithë”, tha Soderberg.

Në adresimin e saj para të pranishmëve, kryetarja e Forumit për Transparencë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni tha se falë bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare, është rritur demokracia, llogaridhënia dhe transparenca e Kuvendit të Kosovës.

“Si kryetare e Forumit për Transparencë Parlamentare jam shumë e lumtur që sot flas nga njëra nga institucionet më transparente, më demokratike që ka Republika e Kosovës dhe në një nga institucionet më demokratike që ka Ballkani Perëndimor. Kjo ka ardhur sepse ne gjithmonë kemi ecur përpara në synimin tonë të përbashkët për të rritur nivelin e demokracisë në Kosovë”, tha Kryeziu-Hyseni.

Sipas saj, sot Kuvendi është më i hapur edhe më i qasshëm se asnjëherë më parë, ka më shumë llogaridhënie dhe transparencë.

Anëtarja e Forumit për Transparencë Parlamentare, deputetja Blerta Deliu-Kodra në fjalën e saj tha se sot është një ditë e veçantë për t’i kujtuar përpjekjet shumëvjeçare të Kosovës për ta konsoliduar demokracinë dhe vlerat e rëndësishme që janë vendosur ndër vite, që kjo demokraci të jetë edhe më e fortë dhe që llogaridhënia dhe gjithëpërfshirja të jenë baza të rëndësishme të një shteti demokratik.

“Gjatë këtyre viteve është bërë punë e madhe dhe padyshim duhet vlerësuar angazhimin të cilin e ka pasur Forumi për Transparencë Parlamentare me mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile”, tha deputetja Deliu Kodra, duke folur edhe me tone kritike përkitazi me, siç tha ajo, cenimin që u është bërë jo rrallë vlerave demokratike të Kosovës.

Në hapje të ceremonisë u shfaqën dy video të realizuara nga NDI dhe OSBE në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Pas mbylljes së ceremonisë kryetari Konjufca, deputetë dhe të pranishëm të tjerë vizituan Panairin e organizatave të shoqërisë civile, duke u njohur me publikimet e tyre, të cilat trajtojnë problematika të ndryshme që organizatat adresojnë në veprimtarinë e tyre.

Shënimi i kësaj dite vijoi me tryezën “Zgjedhjet dhe teknologjia”, mbështetur nga D4D dhe NDI. Nën udhëheqjen e Rezarta Krasniqit nga D4D dhe me prezencë të deputetëve, përfaqësuesve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, atyre të KQZ-së dhe institucioneve të tjera vendore, u trajtua tema e zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor, me theks të veçantë teknologjia në diplomacinë moderne dhe fushatën zgjedhore online.

Lidhur me këto diskutuan Carlo Binda (NDI), deputetët Adnan Rrustemi, Abelard Tahiri e Blerta Deliu, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi si dhe të pranishëm të tjerë.

Gjatë diskutimev u adresuan çështje si: lehtësimi i votimit, polarizimi i skenës politike, gjuha e urrejtjes ndaj grave në politikë, votimi elektronik, përhapja e dezinformatave, sulmet kibernetike etj.

Tryeza “Sporti dhe Demokracia: Një vizion i ri për të ardhmen” mblodhi po ashtu deputetë, përfaqësues të klubeve e federatave sportive, sportistë të fushave të ndryshme si dhe përfaqësues të shoqërisë civile e të organizatave partnere.

Ish-drejtori i NDI-së në Kosovë, Alex Chavarria, deputetët Agon Batusha dhe Eliza Hoxha, përfaqësuesi i Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu, si dhe të pranishëm të tjerë të shumtë, nën moderimin e znj. Bardha Uka nga DemSport, paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me raportin midis sportit dhe demokracisë, sfidat me të cilat përballet sporti vendor, si dhe vizionin e ri për të ardhmen.Në kuadër të kremtimit të Ditës së Demokracisë, e cila në Kuvend shënohet nga viti 2010, u mbajt gjithashtu “Punëtori për Demokraci” me nxënës filloristë të Shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë dhe Kuizi i Demokracisë.