Lajme

Kongresmeni republikan kërkon shkarkimin e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth

11/10/2026 07:14
nga:L J

Një ligjvënës republikan në Shtetet e Bashkuara ka ndërmarrë një nismë për të detyruar zhvillimin e një votimi për shkarkimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke hapur rrugën për një përballje të re politike brenda administratës së presidentit Donald Trump.

Thomas Massie, përfaqësues republikan nga Kentucky, ka paraqitur tetë nene për shkarkimin e Hegseth, duke e akuzuar atë për zhvillimin e paligjshëm të luftës pa autorizimin e Kongresit, si dhe për shpërdorim të kompetencave të tij zyrtare.

Gjatë fjalës së tij në Dhomën e Përfaqësuesve, Massie deklaroi se sekretari i Mbrojtjes kishte kryer shkelje të rënda ligjore dhe se gjatë ushtrimit të detyrës kishte zbatuar urdhra të paligjshëm.

Massie, i cili është drejt fundit të mandatit të tij si kongresmen dhe njihet si një kritik i hapur i presidentit Trump, pritet të sigurojë mbështetjen e disa republikanëve për zhvillimin e votimit.

Sipas rregullave të Dhomës së Përfaqësuesve, votimi për nenet e shkarkimit duhet të zhvillohet jo më vonë se dita e mërkurë.