Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar një projektligj të gjerë për buxhetin e mbrojtjes, i cili autorizon një shpenzim rekord prej 901 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2026.
Votimi i së mërkurës për Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare përfundoi me 312 vota pro dhe 112 kundër. Projektligji pritet të kalojë edhe në Senat javën e ardhshme, raporton AlJazeera.
Shuma e miratuar është 8 miliardë dollarë më shumë sesa kërkoi presidenti Donald Trump në maj. Dokumenti prej 3,086 faqesh, i publikuar të dielën, parashikon përmirësime në kushtet e jetesës për trupat amerikane, duke përfshirë një rritje pothuajse 4 për qind të pagave dhe investime në infrastrukturën e bazave ushtarake.
Ligjvënësit përfshinë detyrimisht disa masa që thellojnë angazhimin amerikan ndaj sigurisë evropiane përballë agresionit rus. Projektligji siguron 400 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën për secilin nga dy vitet e ardhshme dhe detyron Pentagonin të mbajë të paktën 76,000 trupa dhe pajisje të rëndësishme në Evropë, përveçse në rast konsultimi me aleatët e NATO-s.
Në të njëjtën kohë, janë shkurtuar programe që presidenti Trump ka kritikuar më parë, përfshirë rreth 1.6 miliardë dollarë fonde për nisma që lidhen me diversitetin, barazinë dhe përfshirjen, si dhe programe mbi ndryshimet klimatike.
Ligji do të dërgohet në Senat me synimin që të miratohet para pushimeve të fundvitit, për t’u nënshkruar më pas nga Presidenti Trump.


