Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, njëherësh kandidat i PDK-së për kryeministër, ka deklaruar se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të realizohet vetëm në bashkërendim me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Hamza theksoi rëndësinë e shmangies së veprimeve që mund të çojnë në tensionim të situatës dhe nënvizoi nevojën për koordinim me trupat e KFOR-it dhe diplomatët e vendeve mike të Kosovës.
“Duhet të ketë bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim me NATO-n , që ka trupat e vet në kuadër të KFOR-it, me ambasadat në Kosovë, me diplomacitë e vendeve mike me qëllim që të mos shkaktohet një situatë që në vend që të ketë progres të lëvizim në regres dhe të përballemi me një situatë e cila më pastaj do ta bllokonte urën për lëvizje për një kohë më të gjatë”, ka thënë Hamza.
Edhe, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ura mbi Lumin Ibër duhet të hapet.
Ai tha se nuk ka dhe nuk njeh pozicion tjetër politik shqiptar në Kosovës tash e një çerek shekulli, e megjithatë, sipas tij, nuk është hapur për shkak të vlerësimeve të NATO-s dhe ShBA-ve mbi sigurinë.
“Nëse këto vlerësime ndryshojnë në ndërkohë, kushtet piqen, prezenca e tyre në Urë zhbëhet, e njëjta hapet. Prandaj, sa shpenzon kohë pushteti me atak ndaj faktorit shqiptar, të merret me bindjen e aleatëve tanë. Ky është patriotizëm sot. E nëse i keni bindur, hapeni”, tha Abdixhiku.
Më tej, Abdixhiku tha se në të kundërtën, hapja e urës pa aleatë, nënkupton konfrontim me ta.
“Imazh më të shëmtuar se një ushtar amerikan përballë një polici kosovar nuk ka. Automjeti ushtarak me flamur amerikan, përballë një veture të Policisë së Kosovës, është dhuratë për armiqtë tanë! Këto pamje populli i Kosovës as nuk do t’i pranojë e as nuk do t’i tolerojë”, tha tutje Abdixhiku,
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka lënë të nënkuptohet se është pro hapjes së Urës së Ibrit.
Ai me anë të një postimi në ‘Facebook’ iu është adresuar komunitetit serb në Kosovë, duke thënë se urat dhe rrugët duhet të na lidhin, e jo të na ndajnë.
“Qytetarë serbë të Kosovës, Urat dhe rrugët duhet të na lidhin e jo të na ndajnë. Mos u bëni pre e politikave shkurtpamëse e të protestoni kundër lëvizjes së lirë”, thuhet në postimin e tij.
“Ura e Ibrit duhet të jetë simbol i një jete të përbashkët e të pa alternativë. Liria e lëvizjes si vlerë universale është e sotmja dhe e ardhmja. Ndarjet e përplasjet na rikthejnë në memorie të kaluarën e tragjeditë tona”, vijon postimi i tij./GazetaBlic/


