Nis faza e dytë e planit për fundin e konfliktit në Gaza. I dërguari special i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, njoftoi krijimin e një administrate palestineze teknokratike, nisjen e çmilitarizimit të Hamasit dhe rindërtimin e enklavës.
“SHBA-të presin që Hamasi të përmbushë plotësisht detyrimet e tij, duke përfshirë kthimin e menjëhershëm të pengut të fundit të vdekur. Mosveprimi në këtë drejtim do të sjellë pasoja serioze. Jemi thellësisht mirënjohës ndaj Egjiptit, Turqisë dhe Katarit për përpjekjet e tyre të domosdoshme të ndërmjetësimit që bënë të mundur gjithë progresin deri më sot”.
Sipas fazës së parë, Hamasi dhe Izraeli ranë dakord për një armëpushim në tetor, si dhe për një shkëmbim pengjesh–të burgosurish, një tërheqje të pjesshme të Izraelit dhe një rritje të ndihmave.
Pas njoftimit të SHBA-ve, ndërmjetësit rajonalë Egjipti, Katari dhe Turqia mirëpritën formimin e asaj që e quajtën “Komiteti Teknokratik Palestinez për të Administruar Rripin e Gazës”, duke thënë se kjo do të “kontribuonte në forcimin e përpjekjeve që synojnë konsolidimin e stabilitetit dhe përmirësimin e situatës humanitare”.
Ata zbuluan gjithashtu se organi prej 15 anëtarësh do të drejtohej nga Ali Shaath, një ish-zëvendësministër i planifikimit në Autoritetin Palestinez (AP) të mbështetur nga Perëndimi, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar që nuk janë nën kontrollin izraelit.
Administrata kalimtare do të veprojë nën mbikëqyrjen e një “Bordi të Paqes”, i cili do të kryesohet nga Trump, sipas planit 20-pikësh që ai zbuloi tre muaj më parë.
Njoftimet në lidhje me bordin priten në ditët në vijim, përfshirë edhe vizitën e presidentit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos javën e ardhshme.
Luftimet nisën më 7 tetor 2023, kur Hamasi vrau rreth 1 mijë e 200 izraelitë, ndërsa fushata dyvjeçare ushtarake në Gaza la pas më shumë se 71 mijë viktima.


