Lajme

Konfiskohen produkte të mishit në kompleksin “Rajska Banja” në Zveçan

12/20/2023 16:40
nga:G B

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), këtë të mërkurë, ka konfiskuar ushqimin që ndodhej brenda kompleksit në “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit.

Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamit Thaçi, i cili ka informuar se AUV, në bashkëpunim me Policinë e Stacionit të Veriut, ka kryer një inspektim në këtë lokacion në rezultat të një kërkese të tyre.

Në këtë kompleks, Thaçi ka bërë të ditur se janë gjetur produkte dhe nënprodukte të mishit të vendosura në frigorifer brenda kuzhinave.

Megjithatë, ai ka shtuar se këto produkte nuk kishin dokumentacion për origjinën e tyre, ndërsa disa prej tyre mungonin etiketat me informacion mbi datat e prodhimit dhe skadencën.

Zëdhënësi i AUV-it ka njoftuar se, pas vlerësimit të ekipit inspektues, u konstatua se këto produkte nuk përmbushnin kriteret ligjore për konsum, dhe si rezultat është hartuar një procesverbal që vendos të njëjtat duhet të asgjësohen.

“Sot AUV me kërkesë të Policisë së Stacionit të Veriut, ka dalë në inspektim për kontroll në një lokacion. Në kompleksin e një resorti kishte produkte dhe nënprodukte të mishit, të vendosura në frigorifer brenda kuzhinave. Në këtë sasi të produkteve mungonte dokumentacioni për origjinën e produkteve, e disa prej tyre nuk kishin etiketa të deklaracionit mbi datat e prodhimit dhe të skadencës. Si të tilla ekipi inspektues ka vlerësuar se nuk përmbushin kriteret ligjore për konsum. Andaj me procesverbal ka vendosur se të njëjtat duhet të asgjësohen”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka theksuar se, kur të krijohen kushtet teknike dhe logjistike për këtë veprim, inspektori i AUV-it do të dalë së bashku me policinë për të bërë asgjësimin e produkteve të konfiskuara.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se mishrat ishin depozituar në disa frigoriferë të ndryshëm dhe se sasia totale e produkteve do të përcaktohet kur ato të zhvendosen për asgjësim.

“Në momentin që krijohen kushtet teknike dhe logjistike inspektorati do të dal së bashku me policinë të bëj asgjësimin e tyre. Mishrat kanë qenë te vendosura në disa frigorifer të ndryshme të cilat kanë qenë pa mbikëqyrje të temperaturave dhe sasia totale do të dihet kur ata të zhvendosen për asgjësim”, ka deklaruar tutje ai.

Kujtojmë se, këtë objekt të martën e 19 dhjetorit e ka marrë nën kontroll Agjencia Kosovare e Privatizimit me asistimin e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka marrë nën administrim kompleksin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit.

Sveçla ka deklaruar se ky është një mësim për të gjithë ata që duan të investojnë ilegalisht se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.