Lajme

Konfiskohen pesë milionë euro në operacionin kundër “Kartelit Ballkanik” në Gjermani

12/11/2025 13:07
nga:G B

Tre persona janë arrestuar dhe mbi pesë milionë euro janë konfiskuar në kuadër të një operacioni policor gjerman kundër një qelize të grupit të ashtuquajtur “Karteli Ballkanik”, ka bërë të ditur Agjencia Evropiane e Policisë (EUROPOL) më 10 dhjetor.

Shuma e parave besohet se është përfituar në kuadër të trafikimit të drogës nga Kolumbia.

Në operacion janë përfshirë zyrtarë policorë nga Austria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia dhe Serbia, bashkë me rreth 500 zyrtarë policorë gjermanë, të cilët kanë kryer bastisje kundër individëve të dyshuar për trafikim transnacional të drogës dhe krim të organizuar.

EUROPOL-i ka thënë se autoritetet e vendeve që janë përfshirë në operacion kanë kryer hetime dhe i kanë bllokuar llogaritë bankare dhe astetet tjera në shtetet e lidhura me të dyshuarit, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur.

“Shtetasit serbë B.B (1963), B.I (1976), M.B (1999), M.N (1997), S.S (1987), R.M (2004), D.P (1993) dhe N.T (1992) janë arrestuar në territorin e Spanjës. Ata dyshohet se janë anëtarë të grupit kriminal, përmes ofrimit të logjistikës dhe pajisjeve për pranimin e drogës së transportuar nga Kolumbia, e cila ka arritur me anije në Spanjë, dhe më pas është ruajtur dhe shpërndarë në koordinim me shumë grupe tjera kriminale spanjolle”, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme e Serbisë.

Ministria ka bërë të ditur se është ngritur një kallëzim penal, si dhe është vendosur ndalesë ndaj shtetasit serb, Z.S që të mos largohet nga Spanja.

Masa e njëjtë e ndalesës vlen edhe për tre shtetas sllovenë dhe një shtetas të Bullgarisë.

Hetimi, sipas EUROPOL-it, ka shpërfaqur se kjo qelizë kriminale ishte përgjegjëse për dërgesat e kokainës së kontrabanduar nga Kolumbia për në Evropë.

Rrjeti ka pastruar para përmes kompanive dhe ka blerë patundshmëri në shumë vende të BE-së dhe përtej.

EUROPOL-i e ka përshkruar operacionin si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të shkatërruar grupe të krimit të organizuar që trafikojnë kokainë dhe droga tjera në dhe rreth Evropës, duke përdorur rrjete komplekse të logjistikës.

Kjo agjenci policore e Bashkimit Evropian ka thënë se operacioni është kryer bazuar në informacionet e ndara dhe koordinimin e vendosur në hetimet e mëparshme ndërkufitare mbi rrjete për trafikim të drogës me origjinë nga Ballkani.

Grupet e krimit të organizuar, të lidhura me Ballkanin, kanë qenë vazhdimisht në shënjestër të hetimeve shumëkombëshe, të koordinuara nga EUROPOL-i dhe partnerë tjerë në vjetët e fundit.

Deri më tani në operacione janë zbuluar rrugë komplekse të trafikimit me njerëz nga Amerika Jugore përmes Afrikës Perëndimore dhe Evropës./RadioEvropaeLirë