Lajme

Konfiskohen 144 paketime të barnave, dyshohet se janë të dëmshme

06/28/2024 11:33
nga:Sh R

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar 144 paketime të barnave që dyshohet se janë të dëmshme.

Ato janë konfiskuar në pasi që njësitet policore në koordinim me inspektorët farmaceutikë, kanë kontrolluar tri barnatore në tri lokacione të ndryshme, pronë e një të dyshuari.

Rasti thuhet se ka ndodhur të enjten në Pejë dhe është cilësuar si “Prodhim dhe shpërndarje e produkteve të dëmshme mjekësore”.

Nuk është bërë e ditur se për çfarë lloji të produkteve mjekësore bëhet fjalë, ndërkohë që i dyshuari thuhet se është liruar në procedurë të rregullt.

“Në bazë të urdhëresës së gjykatës kompetente, njësitet policore në koordinim me inspektorët farmaceutik, kanë kontrolluar tri barnatore në tri lokacione-pronë e të dyshuarit kosovar. Gjatë kontrollit janë gjetur e konfiskuar 144-paketime të barnave të ndryshme. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.