Barcelona siguroi vendin e dytë, kur ka mbetur edhe një ndeshje deri në fund të sezonit, pas fitores 3-0 në shtëpi ndaj Rayo Vallecanos.
Robert Lewandowski shënoi golin e parë në minutën e tretë, ndërsa ndeshja u zgjidh kur Pedri shënoi dy gola , në minutat 72 dhe 75.
Pas ndeshjes, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka zbritur në ambientet e klubit për të zhvilluar një takim me trajnerin e parë dhe legjendën e klubit, Xavin.
Në atë takim është dashur të vendoset nëse Xavi do të mbetet në krye të skuadrës edhe sezonin e ardhshëm, por nuk doli ashtu.
Ishte takimi klasik që ata zhvillojnë me praninë e anëtarëve të tjerë drejtues pas çdo ndeshje.
Laporta e përgëzoi Xavi për arritjen e vendit të dytë, por nuk deshi ta zgjaste më tej bisedën. Nga klubi kanë treguar se presidenti nuk po ndihej mirë.
Gjithashtu se ai ka preferuar ta shtyjë takimin me trajnerin për pas ndeshjes së fundit të Ligës, të cilën Barça do ta luajë të dielën e ardhshme kundër Sevillës në “Ramón Sánchez Pizjuán”.