Javë më parë, Gazeta Blic raportoi nga burimet e saj, se Partia Demokratike e Kosovës do të garojë me Floretë Zejnullahun në Komunën e Podujevës.
E një gjë e tillë u konfirmua sot nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ai ka qëndruar në Podujevë, ku ka prezantuar Zejnullahun për të hyrë në garë për ta udhëhequr Podujevën.
Ja kë pritet që PDK ta kandidojë për kryetare të Podujevës!
Shkrimi i plotë i Memli Krasniqit:
Floretë Zejnullahu është personifikim i idealit të familjes së saj prej patriotëve e luftëtarëve për lirinë dhe shtetin e Kosovës.
Xhaxhai i saj, Heroi Hakif Zejnullahu, ndër të parët, bashkë me Zahir Pajazitin, u ngrit në këmbë për ta larguar shtypjen, që gjeneratat e reja, të gjithë ne, ta përjetojmë lirinë, ta jetojmë shtetin e Kosovës dhe ta ndërtojmë e zhvillojmë atë.
Floreta ka ecur kësaj rruge me krenari, duke u bërë një profesioniste në shëndetësi dhe një aktiviste politike për më shumë mundësi për të rinjtë e të rejat.
Ne jemi krenar që ajo është pjesë e PDK-së tash e sa vjet. Podujeva është krenare me të dhe për dy mandate i ka dhënë mbështetje për të qenë deputete në Kuvendin e Kosovës.
Floreta, me shumë vullnet, do të angazhohet që Podujeva të përjetojë ndryshimin e madh, që e kërkojnë llapjanët. Ajo është kandidatja jonë për kryetare të Podujevës. Ajo edhe do të jetë kryetare e Podujevës.
Me punën e saj, transparente e të pastër mbi të gjitha, Podujeva do të perjetojë ndryshime të mëdha, projekte inovative që sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, për vende pune e hapje te biznesit, më shumë sport e kulturë, më shumë barazi. Mbështetja jonë për të do të jetë e parezervë.


