Me një lëndim muskulor që nga korriku i kaluar, Sergio Ramos nuk ka bërë ende debutimin e tij në PSG.
Qendërmbrojtësi me përvojë i është bashkuar stërvitjes së drejtuar nga trajneri Mauricio Pochettino, duke dhënë shenja të qarta të rikuperimit të tij fizik, përcjell GazetaBlic Sport.
Pochettino ka deklaruar se debutimi i yllit spanjoll, Sergio Ramos duhet të vijë shumë shpejtë.
“Një fitues i Kupës së Botës si Sergio Ramos, me nivelin e tij konkurrues dhe mentalitetin, do ta ketë të vështirë të pranojë të mos luajë aq sa do të donte, por ai është shumë i fortë”, tha fillimisht Pochettino.
“Ai po punon jashtëzakonisht shumë dhe ne mendojmë se po bën përparim të mirë. Ne duhet të jemi të durueshëm, dhe ai ka qenë. Kjo i referohet pjekurisë së tij, kështu që ne mendojmë se ai mund të kthehet në skuadër së shpejti.
“Ai ka qenë në stërvitje të plotë tre herë këtë javë. Ai po e përballon mirë ngarkesën e punës dhe ky është një hap i rëndësishëm për t’iu afruar konkurrencës”, deklaroi ai.
/GazetaBlic Sport/


