Gazeta Blic merr vesh se aktualisht, Driton Ajazi është duke e dorëzuar në Komisionin Qendror Zgjedhor, kandidaturën e tij, për zgjedhjet e 17 tetorit.
Rjedhimisht, Partia Demokratike e Kosovës do të shkojë ndaras në zgjedhjet lokale të vjeshtës.
Kjo pasi që, zyrtarisht, PDK e ka nominuar kryetarin aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovci, edhe për një mandat në krye të kësaj komune. Mirëpo, me këtë vendim të kryesisë qendrore të PDK-së, nuk janë pajtuar shumë figura të PDK-së në Drenas.
Ata kanë vendosur që për kandidatë të tyre, ta vendosin Driton Ajazin, i cili do të hyjë si i pavarur në zgjedhjet e 17 tetorit.
Ndaj këtij vendimi, ka pasur edhe dorëheqje brenda PDK-së. Ish-kryetari i degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.
Njësoj kanë vepruar edhe shumë figura tjera të PDK-së në Drenas.
Ndërsa, përkundër këtyre paknaqësive, kandidati i PDK-së në Drenas, Ramiz Lladrovci, thotë se do të fitojë pa asnjë problem, edhe mandatin e ardhshëm qeverisës në Drenas.



