Sporti

Konate para ndeshjes me Izraelin: Nuk është ndeshje si çdo tjetër, më lëndon vrasja masive e civilëve

10/10/2024 15:16
nga:Lorik J

Izraeli dhe Franca do të përballen sonte në Ligën e Kombeve me fillim nga ora 20:45 në Bozsik Arena në Budapest të Hungarisë.

Një nga yjet e Francës, qendërmbrojtësi Ibrahima Konate është pyetur edhe për luftën mes Izraelit dhe Palestinës, ku ka dhënë një mesazh të fuqishëm.

Anëtari i Liverpoolit ka thënë se ndaj Izraelit nuk është ndeshje si çdo tjetër.

“Ne nuk do të themi se është një ndeshje si çdo tjetër. Në një farë mënyre është sepse ne do të luajmë futboll, por ajo që po ndodh në botë nuk na lë indiferentë. Ajo që shohim në rrjetet sociale është e neveritshme. Nuk kam fjalë ta përshkruaj tmerrin”.

“Më pas i them vetes se kjo që po ndodh është shumë e rëndë, por shqetësohem për të rinjtë. Ne dëgjojmë të rriturit që qajnë për atë që po ndodh në botë, por imagjinoni fëmijët duke hapur telefonat e tyre. Në moshën tetë ose dhjetë vjeç, sheh njerëz duke u prerë kokat”, vazhdoi Konate.

Tutje reprezentuesi francez ka thënë se e lëndon vrasja e civilëve në Gaza.

“Unë shqetësohem për këto breza. Lufta kundër terrorizmit është një gjë, por civilët që po vriten masivisht, kjo më lëndon mua. Civilët që nuk kanë lidhje me të dhe që vriten masivisht. Ne nuk duhet të injorojmë gjithçka që po ndodh”.

“Ne thjesht duam paqen në botë. Unë flas në emër të të gjithëve këtu. Nëse ne mund të ndihmojmë me sjelljen tonë, fjalët tona, mirësinë tonë, përtej fesë dhe konflikteve, ne jemi njerëz. Sikur ta kujtonim atë. Jeta është e shkurtër, duhet të përpiqemi të jemi të lumtur”, tha Konate.