Lajme

Komuna e Prizrenit iu dha tender prej 1 milion e 394 mijë eurosh me dokumenta fiktive, Prokuroria arreston 3 të dyshuar

04/16/2021 15:40
nga:Mergim Rreci

Organizata joqeveritare “AVONET” ditë më parë ka publikuar një raport në të cilin flitej se si Komuna e Prizrenit e kishte dhënë një tender në vlerë prej 1 milion e 394 mijë e 853 euro e 90 centë një operatori ekonomik i cili kishte aplikuar me dokumente të rrejshme.

Një raportim i tillë i “AVONET” ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Prizrenit, e cila sot ka njoftuar se ka arrestuar dhe ndaluar pronarët e kompanive “NABS” sh.p.k dhe “CONS ENG”, sh.p.k, përkatësisht të dyshuarit me iniciale G. P., S. S. dhe B. S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

“Me datë 12 prill 2021, Rrejti i Organizatave Joqeveritare “AVONET” ka publikuar një deklaratë për media rreth procesit të aktivitetit të prokurimit “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, numër të prokurimit 622-20-2058-2-1-1, me titull “Komuna e Prizrenit i ka dhënë operatorit ekonomik kontratën në vlerë prej 1,394.853.90 Euro me dokumente fiktive (jo reale)”, ku ata pretendonin se fatura e datë 01.05.2020 me nr. 1052020, e cila faturë ka plotësuar kriterin e kërkuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, e njëjta është e dyshimtë pasi që nuk është deklaruar si shitje nga ana e biznesit “CONS ENG” sh.p.k. si dhe nuk është e regjistruar si blerje nga ana e biznesit “NABS” sh.p.k.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Pas publikimit të kësaj deklarate, Prokurori i Shtetit, sipas detyrës zyrtare, ka ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e informacioneve duke siguruar dosjen e tenderit dhe pas intervistimit të të dyshuarve, të njëjtit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

Për çdo informatë me rëndësi për publikun lidhur me këtë rast, do të njoftoheni me kohë”, përfundon komunikata.

“Je dalë me lu sony”- Polica gjobit me 200 euro një qytetar në Podujevë i cili kishte dalë me ble bukë për syfyr