Komuna e Prishtinës ka reaguar ndaj pretendimeve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me qasjen në dokumentacionin e katër rasteve të legalizimit, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Në një reagim, Komuna ka thënë se askujt nuk i është refuzuar qasja në dokumentacion dhe se kërkesa është trajtuar në përputhje me ligjin.
“Pretendimi i kundërt është dezinformim”, thuhet në reagimin e Komunës.
Sipas Komunës, kërkuesve u janë ofruar vendimet e legalizimit, ndërsa për dokumentacionin tjetër u është mundësuar konsultimi i dosjeve në ambientet e Kryeqytetit, në një termin të dakorduar paraprakisht.
Komuna ka theksuar se dosjet përmbajnë të dhëna personale dhe private të personave fizikë, të cilat, sipas saj, nuk mund të shpërndahen në kundërshtim me ligjin.
“Transparenca nuk nënkupton shkelje të ligjit dhe as ekspozim të të dhënave të mbrojtura. Kryeqyteti nuk është mbi ligjin”, thuhet në reagim.
Komuna ka deklaruar se do të vazhdojë të zbatojë ligjin, të garantojë transparencën dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve, pavarësisht, siç thuhet, presionit apo interesit politik.
Në fund, Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje që për çdo pretendim tjetër t’u drejtohen institucioneve kompetente, duke theksuar se është e gatshme të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.
Theksojmë se , drejtuesi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka ngritur sërish shqetësime lidhur me procesin e legalizimeve në kryeqytet, duke kërkuar hetim të plotë të rasteve të përmendura në mesazhet e publikuara të Shefit të Kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Në një konferencë për media, Sveçla tha se më 3 gusht kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës dosjet e plota të legalizimit për katër raste të përmendura në këto mesazhe, por sipas tij, Komuna u ka dorëzuar vetëm certifikatat e legalizimit.
“Më 3 gusht kemi kërkuar nga Komuna e Prishtinës katër dosjet e plota të legalizimit për katër raste që përmenden në mesazhet e publikuara të Shefit të Kabinetit të Përparim Ramës. Komuna nuk na i dha dosjet. Na dorëzoi vetëm katër certifikata legalizimi, pa dokumentacionin përcjellës”, tha Sveçla.
Ai bëri të ditur se për këtë çështje kanë parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.


