Lajme

Komuna e prish gabimisht parkun në Ulpianë, “mbyt” me kanalizim lagjen e “Artistëve”

02/11/2024 21:41
nga:G B

Gjelbërimi e gjallëria e njerëzve , dominonin në parkun e krijuar e financuar nga vetë banorët e lagjes së “Artistëve” në Ulpianë deri në ditën e 21-të të nëntorit të vitit të kaluar.

Gjithë punën e bërë banorët nuk arritën ta shijonin edhe aq gjatë pasi që komuna vendosi ta rrënojë atë.

Banorët thonë se nuk e dinë se për çfarë arsye u bë e gjithë kjo por nga ajo çfarë kishin dëgjuar, ishte për t’u bërë më mirë.

E gjithë kjo bëri që të dalin në pah ujërat e zeza si pasojë e mbylljes së pusetave, e që kundërmimi i tyre po u shkakton goxha problem banorëve.

“Ju Flet Prishtina” pyeti Komunën për këtë problem, dhe mori një përgjigje nga drejtori për Investime Kapitale, Krenar Xhaferi.

Ai tha se e gjithë rruga “Egnatia”, ku ndodhet lagjja e “Artistëve”, është projekt i drejtorisë që ai e menaxhon për këtë vit, që veçse është tenderuar e përcjellë te zyrat e prokurimit, dhe posa të përfundojnë të gjitha procedurat, pritet të fillojë implementimi i tij.