Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se nga sot, ka nisur zyrtarisht procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në ekonomitë familjare dhe në biznese.
Sipas njoftimit të komunës, të gjithë qytetarët që janë prekur nga vërshimet ftohen që brenda afatit të përcaktuar të paraqesin kërkesën e tyre pranë Zyrës Pritëse – Qendrës për Shërbime të Qytetarëve, në Komunën e Mitrovicës.
Për të aplikuar, qytetarët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm, i cili përfshin formularin e aplikimit që merret në zyrën pritëse të komunës, të dhënat personale të aplikuesit, kopje të letërnjoftimit, numrin e anëtarëve të familjes, adresën dhe numrin e shtëpisë apo objektit të dëmtuar, si dhe fotografi që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve, të realizuara në vendin e prekur.
Po ashtu, aplikuesit duhet të dorëzojnë konfirmimin bankar me llogari në emër të tyre, si dhe çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë apo dëmin e pësuar.
Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 26 janari 2026, ndërsa aplikimet pranohen në Zyrën Pritëse, në katin e parë të Komunës së Mitrovicës.
Nga komuna kanë bërë thirrje që qytetarët e prekur të respektojnë afatin dhe të paraqesin dokumentacionin e plotë për të mundësuar një vlerësim sa më të saktë të dëmeve.


