Lajme

Komuna e Malishevës po bën histori, drejt finalizimit të projektit të madh urbanistik

06/28/2024 19:59
nga:Y I

Për 43 fshatrat që numëron gjithsej komuna e Malishevës, qeverisja lokale, çdo ditë e më shumë po përkujdeset që përmes implementimit të projekteve kapitale të iu lehtëson mënyrën e jetesës qytetarëve të saj, e po ndikon direkt në ngritjen e mirëqenies së tyre.

Në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati, ka bërë të ditur se synimi i qeverisjes së tij është që Malishevën ta shndërrojnë prej një qendre administrative në një qytet të së ardhmes.

“Malisheva në zhvillimet e saja apo në përpjekjet për të pas një zhvillim më të madh ekonomik, social, urbanistik pse jo edhe industrial po bëjmë maksimumin që të gjejmë vetën në tregun e tanishëm në Republikën e Kosovës. Prandaj, ne si bartës i institucioneve përkatësisht si kryetar i komunës, po bëj maksimumin tim unë dhe qeveria të cilën e udhëheqim, të jemi në ballë të kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të komunës së Malishevës. Në ballë të nevojave të këtyre njerëzve që na kanë votuar e na kanë mbështetur, sepse motoja jonë elektorale në zgjedhjet e fundit ka qenë ‘Për Malishevën urbane’, e që krejt platforma jonë zhvillimore bazohet në këtë projekt” deklaroi Kastrati.

Tutje, kryetari Kastrati, ka thënë që janë të përkushtuar që Malisheva të bëhet shembulli më i mirë i të jetuarit dhe vepruarit në të.

“Pra, synimin e kemi që Malishevën ta shndërrojmë prej një qendre administrative në një qytet të së ardhmes, në një qytet të fëmijëve tanë dhe në një qytet të të gjitha grupeve apo fokus grupeve, fokus moshave që ta gjejnë veten në Malishevë, duke filluar nga fëmijët, ata që punojnë këtu, ata që ndërtojnë jetën këtu, ata që zhvillojnë biznesin e vet këtu por, sigurisht ata të cilët e kalojnë pleqërinë këtu. Pra, për të gjithë këta njerëz komuna jonë të jetë një vend i favorshëm, një vend i
përshtatshëm për jetesë dhe një vend ku cilësia e jetesës së tyre është më e madhe, më e lartë.Prandaj, krejt kjo përpjekje është duke shkuar në këtë drejtim që ta bëjmë Malishevën e tillë”, është shprehur Kastrati për “Gazeta Blic”.

Në projektet në të cilat janë duke implementuar, kryetari Kastrati, ka treguar se tashmë disa veçse janë përfunduar, duke iu referuar bulevardit “Ibrahim Mazreku”.

“Punë shumë e madhe kolosale është bërë në këtë drejtim, sepse është bërë shumë punë edhe me ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore, trajtimin e ujërave të zeza, trajtimin e ujërave atmosferik, furnizimin me ujë të pijshëm përmes kanaleve nëntokësor, furnizimin me energji elektrike e pikërisht edhe kjo përmes kanaleve nëntokësore, sepse sot s’kemi kabllo të cilat kanë qenë një tmerr në vetvete”.

Sipas të parit të Malishevës, projekti ‘Malisheva Urbane’ është projekti më i madh në historinë e komunës së Malishevës, “sepse është ndërtimi i parkingjeve nëntokësore, nënkalimet në drejtimet nëpër fshatrat Banjë dhe Mirushë, e sigurisht edhe magjistralja që shkon në drejtim të Rahovecit dhe në drejtim të Prishtinës. D.m.th. krejt këto janë në kuadër të projektit të cilat, ne,po bëjmë maksimumin edhe ti kryejmë në mënyrë kualitative por edhe me dinamikë të paraparë të punës”, ka bërë të ditur Kastrati.

“Vlen të theksohet që shumica e projekteve që i shohim apo edhe që janë në ndërtim e sipër, që janë përfunduar edhe që do të përfundojnë, janë të planifikuara me buxhet të komunës tonë, të Malishevës, me investime tona kapitale. Mirëpo një përqindje e këtyre projekteve iu dedikohet donatorëve tanë, njerëzve apo shoqatave, organizatave ndërkombëtare, të cilave iu kemi trokitur në dyert e tyre për të përfituar diçka në interes të qytetarëve”, ka shtuar ai.

Ndërsa, përkrahjen nga qeveria Qendrore, e ka konsideruar shumë të vogël, e të skajshme, në këtë drejtim.

“Përkundrazi disa projekte të cilat kanë qenë të themeluara apo të kontraktuara kjo Qeveri, i ka ndal sikurse është rasti me Unazën e Qyteti, Parku Industrial, furnizimi me ujë të pijes, furnizimi me energji elektrike ku ende nuk kemi diçka konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve. Të gjitha këto janë kompetencë e Qeverisë Qendrore, që dalin jashtë përgjegjësisë tonë si qeverisje komunale, jashtë përgjegjësisë buxhetore sepse janë projekte shumë të mëdha dhe, ne, nuk
mundemi mi trajtuar si të tilla në kuadër të buxhetit të komunës së Malishevës”.

Kryetari Kastrati ka konfirmuar se projekti i ndërtimit të parkingut nëntokësor dhe infrastrukturës përreth, planifikohet të përfundojnë në qershorin e vitit 2025, mirëpo, sipas tij një gjë e tillë do të varet edhe nga kushtet klimatike.

“Kushtet klimatike janë njëri prej elementeve kyç në implementimin e projekteve, në disa projekte të cilat janë fushore, për të cilat kërkohet koordinim me klimën. Me kushtet e kohës në fakt kemi pas shumë telashe sikur tani, këto ditë po e shtyn dinamikën e punëve të parapara. P.sh. nëse një punë e kemi pas me përfunduar në korrik po shtyhet për në tetor, për shkak një muaj ditë kemi pas ngecje prej kushteve jo të përshtatshme atmosferike. Sigurisht, që Operatori Ekonomik, ka me pas parasysh në të ardhmen e afërt m’i shty kapacitetet e veta teknike e njerëzore, që me arrit përfundimin e punëve në datën që planifikojmë, pra në qershor të vitit të ardhshëm”.

Malisheva po ballafaqohet me reduktim të vazhdueshëm të energjisë elektrike dhe furnizim të ujit

Përveç projekteve që tanimë janë drejt finalizimit, Kastrati, ka bërë të ditur se në komunën që ai drejton, asistenca sociale është në rritje.

Sipas Kastratit në këtë gjendje jo të mirë kanë ndikuar inflacioni dhe paga e ultë e miratimit të Qeverisë.

Në anën tjetër, Kastrati, ka treguar se kërkesat më të shpeshta nga qytetarët malishevas kanë të bëjnë me punësim dhe realizmin e infrastrukturës përreth zonës ku ata jetojnë.

“Ndërsa ankesat i kemi për furnizim të ujit dhe për furnizim të energjisë elektrike. Këto i kemi ankesat themelore që po na adresohen më së shpeshti”, ka theksuar në përgjigjen e tij dhënë për “Gazeta Blic”

Malisheva vazhdon të jetë e qetë – ndër vendet më të sigurta në vend

Kastrati, ka komentuar edhe çështjen e sigurisë së Malishevës, e të cilën e ka vlerësuar me nota pozitive.

“Çështja e sigurisë është shumë e kënaqshme në komunën tonë, nuk kemi rritje të kriminaliteti dhe të aktivitetit destruktiv të shoqërisë në komunën tonë. Jemi në mesin e komunave më të qeta apo me përqindje më të ultë të krimit të të gjitha llojeve të krimit. Vlen të potencohet se kundërvajtjet në komunikacion janë shtuar për shkak të shpejtësisë. Megjithatë, jemi të kënaqur me strukturat e sigurisë siç është Policia e Kosovës, e cila është në nivel të kënaqshëm në
kryerjen shërbimeve ndaj qytetarëve dhe detyrave të veta”.

Investimet kapitale nëpër shkolla nuk mungojnë, por ato po braktisen nga nxënësit

“Ne jemi munduar që edhe gjatë këtij viti që sistemin shkollor në komunën e Malishevës, jo veç ta mirëmbajmë por edhe ta zhvillojmë në shkallën më të madhe të mundshme, në bazë të kapaciteteve tona profesionale dhe intelektuale që i kemi. Mbështetja nga komuna e Malishevës përkatësisht nga drejtoria për Arsim dhe Edukim nuk ka munguar në secilën shkollë, mbështetja e asistenca e kësaj drejtoria. Aktualisht jemi duke ndërtuar një shkollë në fshatin Turjakë e që
besoj vitin e ardhshëm kompletohet. Ndërsa, investimet tjera mund të theksojmë fushat sportive në disa shkolla, mirëpo edhe disa investime tjera sporadike, është fjala kapitale”, është shprehur kryetari Kastrati.

Tutje, Kastrati ka potencuar se “shqetësuese për ne është numri i nxënësve në rënie e sipër, pra braktisja e shkollës sidomos nga nxënësit e shkollës fillore, ky fenomen po ndodhë për shkak të papunësisë/varfërisë, gjë e cila i po i dërgon drejt migrimit”.

Koalicionet për të rikthyer besimin e qytetarëve?

Kryetari i Malishevës, i cili vjen nga radhët e partisë Nisma Socialdemokrate, Ekrem Kastrati, ka komentuar koalicionin parazgjedhor të arritur nga kreu i partisë së tij, Fatmir Limaj dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai shprehet me bindje të plotë se, ky koalicion është alternativa më e mirë për qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës.

“Besoj që koalicioni i arritur në mes të Nisma Socialdemokrate dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, do të shënon një rezultat të madh në zgjedhjet e ardhshme, për shkak të lidershipit të saj të qëndrueshëm, konsistent dhe vizionar, që kanë këto dy parti politike. Mirëpo, sigurisht edhe përkrahja e qytetarëve që po e shohim në terren veç është në rritje dita e ditës. Ky, koalicion do të jetë befasi në zgjedhjet e ardhshme, i cili do të rezultojë me një përfaqësim goxha të
dinjitetshëm, në Parlament”, ka potencuar Kastrati.

Meqenëse, edhe zgjedhjet lokale po afrohen, Kastrati, nuk ka hezituar të përgjigjet nëse do të kishte vullnetin për të vazhduar edhe një mandat tjetër si i pari i Malishevës.

“Zgjedhjet me kalendarin e rregullt ligjor janë në vitin e ardhshëm, pra në fund të 2025-s, partia e Nisma Socialdemokrate sigurisht që do të jetë pjesë e sistemit zgjedhor, përkatësisht do të synon që edhe më tutje ta ruan qeverisjen në nivel komunal edhe ta këtë shumicën si në Asamble po ashtu edhe kandidati i kësaj partie t’i fiton zgjedhjet. Nëse, unë do të jem kandidat për Kryetar, varet krejtësisht prej strukturave udhëheqëse të Nisma Socialdemokrate, respektivisht prej kryesisë së saj qendrore dhe kësaj lokale në Malishevë, të cilat vendosin për kandidatin që ata vlerësojnë si më të duhurin. Çdo kush që merret me politikë e ka vullnetin me kanë kandidat për kryetar, mirëpo kjo varet prej strukturave partiake”, ka përfunduar Kastrati në intervistën dhënë për “Gazeta Blic”